Shërbimet publike, qeveria gati miratimin e kartës së të drejtave për qytetarin
Qeveria me një vendim të posaçëm tashmë në proces miratimi synon të formulojë një kartë te të drejtave të qytetarit për përfitimin e shërbimeve publike. Sipas relacionit shoqërues ky projektvendim ka për qëllim të përcaktojë të drejtat kryesore të qytetarëve dhe bizneseve përgjatë procesit të ofrimit të shërbimeve publike nga ana e organeve të administratës shtetërore.
Projektvendimi në tërësinë e tij përcakton këto të drejta:
-Të drejtë për informim;
-Të drejtën për akses në shërbimet publike;
-Të drejtën e tërheqjes nga kërkesa;
-Mënjanimi i barrës mbi qytetarët dhe bizneset;
-Të drejtën për trajtim të barabartë në ofrimin e shërbimeve publike;
-Të drejtën për ndihmë aktive gjatë procesit të ofrimit të shërbimeve;
-Të drejtën për zgjidhje efektive;
-Të drejtën për të proceduar kërkesën sipas radhës së aplikimit;
-Të drejtën për marrjen e shërbimit brenda afateve të arsyeshme;
-Të drejtën për marrjen e një shërbimi në mënyre transparente;
– Të drejtën për të pasur alternativa në paraqitjen e kërkesës dhe ofrimin e shërbimit;
-Të drejtën për të mos u penalizuar për gabimet/pasaktësitë e institucioneve të administratës shtetërore.
– Të drejtën për ankim;
– infrastruktura në ofrimin e shërbime publike;
-Përgjegjshmëria ndaj qytetarëve dhe biznesit;
-Mbrojtja e të dhënave personale, informacioneve apo sekreteve tregtare;
-Të drejtën për këshillim paraprak;
-Të drejtën për shërbim cilësor;
-Të drejtën pjesëmarrja në përmirësimin e shërbimeve publike;
-Publikimi, informimi dhe edukimi
Ky projektvendim është pjesë e korpusit të akteve ligjore e nën-ligjore të miratuara në fushën e ofrimit të shërbimeve publike, të cilat kanë për qëllim përmirësojnë ofrimin e shërbimeve publike, si dhe të krijojnë një sistem të unifikuar të këtyre shërbimeve, duke respektuar parimet e organizimit dhe funksionimit të administratës shtetërore.
Kryeministri harton një manual për unifikimin e sjelljes së punonjësve në sportelet publike
Kryeministri synon të përmirësojë sjelljen e administratës në sportele, me anë të një manuali të posaçëm i cili unifikon modelin e sjelljes të personelit që shërben në sportele. Projektvendimi “Për miratimin e manualit të etikës në ofrimin e shërbimeve publike në sportel”, i cili aktualisht është në fazën e konsultimit publik është propozuar nga Kryeministri Edi Rama dhe ka për qëllim të përcaktojë rregullat e etikës gjatë ofrimit të shërbimeve publike në sportel, me qëllim unifikimin e mënyrës së ofrimit të tyre nga institucionet e administratës publike nën varësinë e Këshillit të Ministrave, pavarësisht nëse shërbimin e ofrojnë vetë ose ndërmjet sporteleve të shërbimit ose sporteleve të pikave të shërbimit me një ndalesë.
Në manualet pjesë përbërëse e projektvendimit, përcaktohen në mënyrë të detajuar rregullat e etikës së nëpunësit/punonjësit të administratës shtetërore që ofron shërbime publike në sportel.
Sipas relacionit përkatës, ky projektvendim është i detyrueshëm për të gjithë institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbime publike në sportel, pavarësisht formës së organizimit të tyre.
Projektvendimi i propozuar, synon arritjen e objektivave të mëposhtëm:
1.Unifikimin e rregullave të etikës të cilat janë të detyrueshme për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore të cilët ofrojnë shërbime publike në sportel. Rregullat e unifikuara janë të lidhura me mënyrën e komunikimit, sjelljes, kodit të veshjes, profesionalizimi, ruajtja e konfidencialitetit etj.
2. Standardet e sjelljes etike dhe detyrimet e nëpunësit/punonjësit të administratës publike në ofrimin e shërbimeve publike;
3.Mbrojtjen e interesave të përfituesve të shërbimit duke thjeshtuar veprimtarinë administrative;
4.Detyrimin e punonjësit që ofron shërbime publike te kryej me përgjegjësi detyrën;
5. Detyrimin e punonjësit që ofron shërbime publike te zbatojë rregullat që lidhen me kodin e veshjes te përcaktuara nga vetë institucioni
Kryeministria ka sqaruar se, rregullat e etikës të përcaktuara, janë mbështetur në legjislacionin në fuqi, që rregullojnë sjelljet etike në sektorin publik, të drejtën e informimit, mbrojtjen e të dhënave personale, mbrojtjen nga diskriminimi, konfliktin e interesave dhe rregullat e komunikimit institucional dhe ndërinstitucional.