ArteFilm

Shfaqet filmi “Pritja”, mbi vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama mori pjesë te merkuren ne mbremje në projeksionin e filmit “Pritja”, kushtuar vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri.

Në fjalën e tij, kryeministri  Rama u shpreh se, “provania e desh që filmi aq mjeshtërisht kushtuar vizitës së paharruar të Papa Françeskut në Shqipëri, të projektohet këtë muaj, që është edhe muaj i të gjitha ringjalljeve. Ende në atmosferën e Pashkëve, mund të shqiptohet ngadhënjyeshëm fillesa e antifonës së meshës së Ringjalljes: “Haec dies”- “Kjo është dita që bëri Zoti”.

“Nuk është rastësi që e përmend këtë rruzare fjalësh, sot. Se 22 vjet më parë, ajo ripërsëritej si një refren i hyjnishëm në çdo paragraf të testamentit shpirtëror që Papa Shën Gjon Pali II i la shqiptarëve nëpërmjet fjalimit të tij të paharrueshëm në katedralen e Shën Shtjefnit Protomartir të Shkodrës, të dielën e 25 prillit 1993”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, “vitet që kanë kaluar nga ajo ditë janë po aq sa harku kohor që ndan martirizimin e Kishës në Shqipëri nga ai fjalim testamentar, i cili, së bashku me vajrat dhe formulat e shenjta, shuguroi në një prill ringjalljeje, kryet e ipeshkvinjve shqiptarë, dje martirë, sot prelatë të një besimi me të drejta të plota qytetarie”.

““Haec dies” – “Kjo është dita”, kur për ne të gjithë, ngjarje në dukje të shkëputura nga njëra – tjetra, marrin të gjithë kuptimin e tyre në dritën e rrugëtimit tonë të përbashkët si komb dhe të çdo individi që e ndjen veten të angazhuar në bindjet e tij”, tha Rama.

“Në prill të 1967 mbulohej me qefinin e martirit bashkësia katolike shqiptare, e cila “përjetoi një përvojë vdekjeje të paprecedent”, siç e quajti Gjon Pali II në fjalimin në katedralen e Shkodrës. E ringjallur mrekullisht u shfaq, në prill të 1993, kur Papa Gjon Pali II i riktheu, së bashku me dinjitetin, jetën e ripërtërirë, nëpërmjet rindërtimit të hierarkisë kishtare dhe duke thënë, si profeti Jeremi në Beslidhjen e vjetër: “Barinj do t’ju jap sot që me urtësi do të mëkojnë grigjën”. Ndërkohë që më 2 prill 2005 hynte në amëshim me shpirtin e dlirë dhe trupin e përvojtur, Gjon-Pali II, në prill të 2014, Papa Françesku, i sapozgjedhur e ndonëse punëshumë, më njoftonte se në personin tim, Shqipëria ishte e mirëpritur në pragun e Shën Pjetrit”, u shpreh Rama.

“Ç’ndodhi më pas, e dimë të gjithë dhe si atë ditë e përjetojmë kurdoherë me gëzim të bashkëndarë: vizita e Papa Françeskut në Tiranë, që mandej rrezatoi në mbarë hapësirën shqipfolëse dhe përtej rrezatoi një Shqipëri, siç bota nuk e kishte njohur. Çka Ati i Shenjtë përjetoi atë ditë, ishte pikërisht përvoja e vdekjes së paprecedent që kishte pësuar Shqipëria për të cilën fliste Gjon Pali II; “Pritjen”, pritjen e skajshme për shëlbim dhe rimëkëmbje”, theksoi Rama.

Sipas Kryeministrit, “ndonëse përvojë vdekjeje, kjo pritje nuk qe kurrë përgjumje, por një rrugëtim i pandërprerë, i ngjizur nga shpresa dhe gjaku i martirëve”.

“Shumë hijshëm, liturgjia e Kishës lindore vë theksin, gjatë treditëshit të dergjes së Krishtit në varr, në rrugëtimin e tij në thellësitë e tokës, për të pajtuar njeriun e sotshëm dhe të nesërm me Adamin fillestar, të çliruar nga stërmundimet e hershme të mëkatit. I bjerrur në varr, por jo i përgjumur në besë, i dergjur në dhembje dhe harresë, por gjithmonë në rrugëtim me Zotin, drejt shpresës që nuk gënjen, siç ishte edhe deviza e vizitës së Papa Franceskut, ky në fakt është trupi i ringjallur i Kishës në Shqipëri dhe çmimi i lirisë së rigjetur. Sepse në Shqipëri u përball për së gjalli me realitetin e dëshmisë deri në përdëllim të lirisë së ndërgjegjes dhe të besimit, Papa Françesku përjetoi një dlirësi mallëngjyese, me lotët e tij, si përvojë shtangëse që ta ofron vetëm Shqipëria e vogël”, tha Rama.

Po, këtu, në këtë tokë, tha Kryeministri, “u sprovua klithma antike e dorëshkruesit Tertulian: “Gjaku i martirëve është farë të krishterësh”. E shqiptuar në kohërat më të errëta të persekutimeve romake, kjo klithje të cilës shekujt i bëjnë jehonë edhe në Shqipëri, ku Shqipëria i bëhet pasqyrë, na ndihmon të shohim më larg se sa tmerret që dje totalitarët e çdo ngjyre, sot fanatikët mercenarë të ISIS, ushtrojnë mbi popullsitë e krishtera në mbarë botën”.

“Në dritën e shpresës dhe jo të kureshtjes së kënaqur, duhet medituar fjala e Papa Françeskut gjatë Mbrëmësoreve të 21 shtatorit në katedralen e Tiranës: “Kthehuni në shtëpi duke reflektuar mbi të mirën: sot, me dorë, ne prekëm martirë”. Me përvojën sa të trishtë po aq edhe ndriçuese, ne jemi plotësisht solidarë me popullsitë e krishtera që vuajnë persekutimin e përditshëm, nga Kenia në Irak dhe nga Siria në Nigeri dhe njëzëri bashkohemi me apelin për ndërgjegjësim në ndihmë të tyre, që vjen jo vetëm nga krerët e krishterë, por edhe nga krerë komunitetesh myslimane, hebreje dhe qindra – mijëra organizma joqeveritare, pa angazhime fetare, pa përfshirë këtu qeveritë e mbarë botës demokratike”, theksoi Rama.

Si dje nën terrorin komunist, vijoi kreu i qeverisë, “sot, në aktualitetin e trazuar, të krishterët e persekutuar mishërojnë më shumë sesa vetvetja. Ata mishërojnë lirinë e nëpërkëmbur dhe gjithmonë të kërcënuar, atë liri pema e së cilës, për ta thënë me fjalët e Viktor Hygoit, u mboll tash 2000 vjet më parë mbi Golgotë”.
““Haec dies” – “Kjo është dita”, kur na duhet të kuptojmë se sa të brishta janë frutet e bashkëjetesës fetare, bashkëjetesës së opinioneve dhe ideve, angazhimeve të gjithsecilit. Secili prej nesh, dhe nuk flas këtu vetëm për marrëdhëniet ndërpersonale, por edhe ndërinstitucionale dhe ndërshtetërore, si për shembull thjeshtë dhe ato mes Kishës dhe Shtetit, duhet të kuptojë që është tejet i vobektë në vetminë e tij dhe pafundësisht i pasur në sinergjinë e tij me të tjerët. Me gjuhën e tyre, të gjithë ata që sot ka një opinion për mënyrën se si lëviz bota, thonë se ndërvarësia reciproke në një botë të globalizuar, na bën të kemi nevojë për njëri-tjetrin. Dhe, më lejoni që me këtë rast ta bëj timin këtë konstatim dhe ta kujtoj për të gjithë ju një formë më të thjeshtë dhe përfundimisht më autentike dhe grishëse për zemrën. Ose më sakte, ta themi ndryshe, me fjalët e Papa Françeskut gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Zonja e Këshillit të Mirë: “Si rrugëtarë mbi këtë tokë, tek aspirojmë për gjëra të mëdha, të vërtetën dhe përjetësinë, nuk duhet të harrojmë që jeta e gjithsecilit varet nga tjetri, që i jemi mirëbesuar përkujdesjes së njëri – tjetrit.”, theksoi Rama.

“Për ta mbyllur dua të them se sa përshtypje, sensi i përkujdesjes dhe i të diturit nën përkujdesje, e përshkonte Papa Françeskun në çdo moment të asaj vizite, kur gjendej pranë të gjithë atyre që përgatitën çdo detaj të vizitës, apo kur kërkonte të dinte deri nëse stafi që ishte marrë me përgatitjet ishte i lodhur. Përderisa, siç thotë Ungjilli, “Çdokush që punon meriton shpërblim”, kjo është dita për t’ju thënë, në fakt, të gjithë atyre që punuan parreshtur që kjo vizitë të bëhej për ne një ringjallje”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Rama.

“Pritja”, film për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri

“Pritja”, një film që merr shkas nga vizita historike e Papa Françeskut në Shqipëri, u shfaq sot në mbrëmje për publikun e kryeqytetit, Tiranës.

Filmi u realizua nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Filmi “Pritja”, i regjisorit Roland Sejko, bazohet në librin “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit dhe bazohet mbi dokumente, foto dhe xhirime nga arkivat e filmit në Shqipëri dhe Institutit Luce.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button