Shijet autentike dhe recetat brez pas brezi promovojnë identitetin kulinar të Elbasanit
Tava e Elbasanit mbetet një nga simbolet më të forta të identitetit të qytetit. Në Festën e Tavës, të organizuar në qendër të Elbasanit, qindra qytetarë dhe turistë shijuan gatimin tradicional, ndërsa mbi 30 restorante dhe kuzhinierë prezantuan variantet e tyre të recetës së trashëguar brez pas brezi.
“Tava e kosit bëhet me mish qengji, një litër kos, dy lugë miell misri, pesë vezë dhe pak gjalpë fshati”, tha një fëmijë
“Tava e kosit është traditë e qytetit të Elbasanit. Ne e kemi trashëguar nga prindërit tanë dhe është gatuar prej shumë vitesh”, shprehet qytetarja.
Për amvisat elbasanase, vlera e Tavës së Elbasanit nuk qëndron vetëm te përbërësit, por mbi të gjitha te tradita e ruajtur dhe e përcjellë brez pas brezi. Krahas saj, në tryezat tradicionale të qytetit vijojnë të zënë vend edhe gatime të tjera karakteristike të zonës.
“E gatuaj prej 20 vitesh. Është një traditë brez pas brezi. Gjyshja ime ishte elbasanllie dhe e trashëgoi këtë recetë, më pas mami im dhe tani unë. Edhe unë do t’ua trashëgoj fëmijëve të mi. Gatime të tjera të veçanta të Elbasanit janë tava e pështillit, imambajalldia, japraku dhe, mbi të gjitha, ballokumet.”
“Elbasani e ka traditë tavën e kosit dhe e përcjell këtë traditë edhe te brezat e tjerë. Unë e kam trashëguar nga mami dhe gjyshja ime, ndërsa tani po e trashëgoj te vajzat e mia”, tregon një amvise.
Institucionet e turizmit e konsiderojnë kulinarinë tradicionale një nga asetet më të rëndësishme për promovimin e Shqipërisë përtej destinacioneve bregdetare. Sipas tyre, Festa e Tavës është një shembull i mirë i mënyrës se si gastronomia mund të shndërrohet në një atraksion turistik.
Zana Çela, nga Agjencia Kombëtare e Turizmit thekson: “Agjencia Kombëtare e Turizmit ka këtë vit si objektiv promovimin e Shqipërisë përtej bregdetit. Një nga pikat tona më të forta është kulinaria. Fakti që Elbasani po kthehet në një model të promovimit të recetave të traditës së kulinarisë shqiptare është vërtet për t’u përshëndetur.”
Me aromën karakteristike të Tavës së Elbasanit, muzikën dhe pjesëmarrjen e qindra vizitorëve, festa u kthye në një promovim të traditës dhe identitetit të qytetit. Aktiviteti synon ta pozicionojë kulinarinë lokale si një prej arsyeve kryesore për të vizituar Elbasanin gjatë gjithë vitit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.