Ekonomia

Shkarkimi i punishteve të vajit vret 50 kuintalë peshk

Më shumë se 50 kv peshk ka ngordhur në një nga liqenet e Belshit për shkak të ndotjes së madhe që një fabrikë e prodhimit të vajit të ullirit ka shkaktuar në këtë liqen. Fabrika e cila disponon një licencë mjedisore ndodhet pranë Gjolit të Gjatë dhe të gjitha mbetjet i ka derdhur në këtë Liqen.

Situata paraqitet katastrofike, uji është krejtësisht i zi ndërsa era e rëndë e bën të vështirë jetesën për banorët e shtëpive pranë. Peshkatarët të cilët prej vitesh shfrytëzojnë këto liqene thonë se një situatë e tillë nuk është parë kurrë, ndërkohë që sipas specialistëve një ndotje e tillë do disa vitë të zhduket.

“Është një fabrikë vaji këtu dhe vetë njoftuam që mos fut ujërat e fabrikës këtu, biles më tutje ka një vaskë në krye të liqenit dhe ngordhi peshku. Ujërat e ullirit izolojnë sipërfaqen e liqenit dhe peshku nuk merr oksigjen”, thotë një peshkatar.

“Këtu ka ngordhur mbi 50 kv peshk. Krap, ngjala, sardele, të gjitha, katastrofë e madhe. Kjo gjendje vetëm nga fabrika e vajit”, thotë një tjetër peshkatar.

Sipas peshkatarëve në të njëjtën gjendje paraqitet edhe një tjetër liqen në zonën e Belshit, i ndotur sërish nga një fabrikë për prodhimin e vajit të ullirit. Edhe pse peshkatarët janë drejtuar në të gjitha institucionet, asnjë masë nuk është marrë deri tani ndaj këtyre ndotësve.

I kontaktuar në telefon Kryetari i Bashkisë së Belshit tha për Top Channel se i është drejtuar me disa shkresa Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit Elbasan ku i kërkon marrjen e masave ndaj të gjitha kompanive dhe rishqyrtimin e licencave të tyre mjedisore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button