Shkodër, ish-drejtuesit e Hipotekës, në gjykatë
Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-drejtuesin e Hipotekës së qytetit, Neritan Kalamishi dhe një ish-jurist të këtij institucioni, Marvin Ramovi, të akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Së bashku me ta, organi i akuzës ka dërguar për gjykim edhe shtetasin Vate Lari, i akuzuar për “falsifikim të dokumentave” pronësorë dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Nga hetimet e zhvilluara rezultoi se ish-kryeregjistruesi Kalamishi dhe juristi Ramovi kanë regjistruar në mënyrë të kundërligjshme pronën me sipërfaqe 23 mijë metra katrorë në Velipojë, e cila ishte përfituar në bazë të dokumentave të falsifikuar nga ana e shtetasit Vate Lari. Ky i fundit ka dorëzuar në hipotekë një vërtetim të falsifikuar të komunës së Velipojës, sipas të cilit, shtetasi Vate Gjelosh Lari është i njëjti person me Vate Kol Marashin.
Me anë të këtij dokumenti, Lari përfitoi sipërfaqen e pronës duke e shitur më pas menjëherë dhe është larguar për në Francë. Aktualisht, sipërfaqja në fjalë, me kërkesë të prokurorisë, është sekuestruar nga Gjykata e Shkodrës.