Shkolla e 11-të private në Greqi blihet nga një fond i huaj: OIELE ngre alarmin për shkollën e Hanias
Federata e mësuesve të arsimit privat thotë se Shkollat Theodoropoulou në Hania kanë një nga të kaluarat më të pasura me shkelje në arsimin privat dhe gëzonin «imunitet të çuditshëm» nga autoritetet mbikëqyrëse
Në blerjen e një shkolle private në Hania përqendrohet Federata e Mësuesve të Arsimit Privat të Greqisë (OIELE), duke theksuar «të kaluarën e pasur» me shkelje të saj, siç njofton gazeta greke Efsyn.
Sipas OIELE-s, Forfar Education, fondi britanik që ka blerë tashmë dy shkolla të rajonit, «Pangjiritio» dhe «Rodion Paideia», merr nën kontroll një shkollë private me histori të pasur veprimesh të paligjshme, Shkollat Theodoropoulou në Hania.
Bëhet fjalë për blerjen e 11-të të një shkolle private nga një fond i huaj, thekson federata, duke nënvizuar se «shkolla në fjalë është një nga shkollat më shkelëse në fushën e arsimit privat, e cila megjithatë gëzonte gjithmonë një imunitet të çuditshëm nga autoritetet mbikëqyrëse të shtetit».
Sipas OIELE-s, duke shfletuar arkivat e federatës nga viti 2007 e në vijim, konstatohen shkelje të shumta të denoncuara dhe të vërtetuara në këtë shkollë. Federata vë në dukje se për shkollën në fjalë ishte propozuar në vitin 2010 heqja e përkohshme e lejes së funksionimit dhe dërgimi i pronarit për shkelje disiplinore dhe penale.
Ajo thekson gjithashtu se «në vitin 2014, të lodhur nga gjendja në shkollë dhe pas pushimit nga puna të 23 prej 28 kolegëve, mësuesit i dërguan ministrit të atëhershëm të Arsimit, A. Loverdos, një letër për t’i treguar gjendjen që mbretëronte në Shkollat Theodoropoulou».
OIELE njofton se do t’i dërgojë një letër Forfar Education, duke e informuar për gjendjen që mbretëronte në shkollë dhe duke kërkuar që nga tani e tutje të respektohet ligjshmëria arsimore dhe e punës, si dhe një takim me përfaqësuesit e fondit në Greqi. Ditët në vijim, federata do të informojë edhe «për zhvillime shumë serioze në fushën e punës në shkolla që u përkasin fondeve».



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.