Greva e 25 nëntorit: anulohen 32 fluturime në 15 aeroporte rajonale të Greqisë
Greva e OSYPA-s u shpall e paligjshme, por punonjësit e telekomunikacionit të aviacionit civil grevojnë normalisht dhe aeroportet e vogla mbeten pa fluturime
Edhe pse greva e Federatës së Punonjësve të Shërbimit të Aviacionit Civil (OSYPA) u shpall, si zakonisht, e paligjshme, 32 fluturime në aeroporte të vogla rajonale pritet të anulohen të mërkurën, më 25 nëntor, sepse dega e punonjësve të telekomunikacionit që i shërben këto aeroporte do të grevojë normalisht, siç njofton gazeta greke Efsyn.
Siç deklaroi për Efsyn kryetari i Shoqatës Panhelene të Telekomunikacionit të Aviacionit Civil, Panagiotis Horianopoulos, greva e degës së tij mbetet në fuqi, pasi administrata e aviacionit civil nuk iu drejtua gjykatës kundër saj, siç bëri me OSYPA-n.
Punonjësit e telekomunikacionit (AFISO) u shërbejnë fluturimeve në aeroportet e vogla që nuk kanë kullë kontrolli dhe kontrollorë ajrorë, duke u dhënë pilotëve të dhënat e nevojshme për ulje dhe ngritje.
Aeroportet që të mërkurën do të mbeten pa fluturime janë ato të Paros, Naksos, Syros, Kythira, Karpathos, Kasos, Milos, Leros, Kozani, Kastellorizo, Kastoria, Kalymnos, Sitia, Astypalea dhe Ikaria.
Njoftimi zyrtar NOTAM për grevën në aeroportet rajonale doli me vonesë të madhe, pasi ishte anuluar NOTAM-i tjetër për grevën e OSYPA-s. Si pasojë, u vonuan të njoftohen si kompanitë ajrore, ashtu edhe pasagjerët që do të fluturonin të mërkurën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.