Shkolla e Aviacionit, projekti më i madh i investimeve publike në janar – mars
Shqipëria është kthyer në kantier ndërtimi me rrugë e hekurudha të hapura nga qeveria dhe nga ana tjetër, sektori privat në një valë ndërtimesh në Tiranë dhe bregdet. Por në rastin e sektorit publik situata paraqitet pak më problematike sa i takon zbatimit të afateve, dhe mirëpërdorimit të fondeve.
Sipas të dhënave zyrtare të detajuara nga Ministria a e Financave, projekti më i madh i realizuar në janar – mars të vitit 2026 është investimi për ngritjen e shkollës së Aviacionit në Vlorë me një vlerë prej 1,6 miliardë lekësh ose me shumë se 16 milionë euro, e cila është një investim që po kryhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Sektori rrugor ka investimin më të madh në ketë fillim vit. Për segmentet e rrugës Qukës-Qafë Plloçë janë alokuar mbi 830 milionë lekë, pavarësisht se ky objekt u inaugurua vitin e kaluar.
Projekti i tretë më i financuar në tre-mujorin e parë 2025 ishte sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit ka përfituar mbi 460 milionë lekë investime.
Ndërkohë që projektet e rigjenerimit urban dhe ato të ujësjellës-kanalizimeve shfaqen me shifra më modeste në këtë tremujor, ato pritet të rriten në volum gjatë muajve në vijim.
Ndonëse qeveria shqiptare ka projektuar një vit ambicioz për investimet kapitale me një fond total prej 161 miliardë lekësh, shifrat e tremujorit të parë tregojnë një nisje mjaft të ngadaltë. Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave gjatë tre muajve të parë të vitit janë realizuar vetëm 5.5 miliardë lekë, në një nivel minimal prej vetëm 3.4% të planit total vjetor prej 162 miliardë lekësh.
Ky nivel i ulët realizimi tregon një mospërputhje të dukshme mes planifikimit buxhetor dhe shpërndarjes faktike të fondeve në projekte konkrete gjatë fillimit të vitit. Pjesa dërrmuese e projekteve të listuara në dokumentin e financave rezultojnë me zero ose fare pak investime të kryera, duke lënë një peshë prej mbi 96% të punimeve dhe pagesave për t’u ekzekutuar në nëntë muajt e mbetur.
Megjithatë, brenda këtij 3.4% të realizuar, vërehet një përqendrim te disa projekte, ku dominojnë projektet e ushtrisë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, ndërsa nevoja për infrastrukturë është në rritje për shkak edhe të kritereve të integrimit në anën tjetër aftësia e shtetit për të realizuar investime kapitale ka rënë në nivele alarmante, duke u lidhur drejtpërdrejt me skandalet e mëdha korruptive që kanë përfshirë institucionet kryesore shqiptare që janë mandatuar për të tu kujdesur për infrastrukturën kritike të vendit.
Fondi i investimeve është shumëfishuar në krahasim me para 10 viteve, por realizmi i investimeve në tremujorin e parë ishte nga më të ulëtat që nga viti 2009./ Marrë nga Monitor
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.