Shkolla e rindërtuar “Edith Durham” nuk ka klasa të mjaftueshme për nxënësit

Shkolla 9-vjeçare “Edith Durham” në Tiranë pritet të rihapë dyert në vjeshtë pas rindërtimit, por komuniteti i prindërve dhe mësuesit janë të zhgënjyer nga kapacitetet e saj, ndërsa i druhen zhvillimit të mësimit me dy turne.
Sipas një mësueseje që foli me BIRN në kushtet e anonimatit, ambientet e reja të shkollës së rindërtuar përmbajnë më pak klasa sesa godina e vjetër, duke ngritur pikëpyetje për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Aktualisht kemi 45 klasa ekzistuese, por kemi vetëm 40 ambjente në dispozicion. Kjo do të thotë që 5 klasa dalin pasdite, ose duhen zhvendosur te Emin Duraku që ka ambjente,” tha mësuesja e “Edith Durham”.
“Në rastin më të keq besoj do të bashkohen klasat, që sjell një numër tejet të madh nxënësish për klasë,” shtoi më tej ajo.
Ndarja e nxënësve nëpër klasa bëhet sipas një udhëzimi të miratuar në korrik të vitit 2023, ndërkohë që një bashkim i mundshëm klasash do të sillte mbingarkesë, shkelje të këtij udhëzimi dhe cilësi më të ulët të mësimdhënies.
Shkolla “Edith Durham” u shemb në verën e vitit 2024 për t’u rikonstruktuar përmes një fondi prej 494 mijë lekësh të Bashkisë së Tiranës.
Edhe pse godina e re supozohej të ndërtohej me qëllimin e përmirësimit të kushteve dhe adresimin e disa shqetësimeve të prindërve lidhur me mësimin me dy turne, kjo vijon të mbetet problematikë edhe pas rindërtimit të godinës së re.
Duke ndarë të njëjtin shqetësim me mësuesit, edhe prindërit e fëmijëve që frekuentojnë shkollën “Edith Durham” i thanë BIRN se në fakt godina e rindërtuar nuk është në standardet e pritura, duke ngritur shqetësimet për mospërballimin e kapacitetit të nxënësve të zonës dhe për mundësinë e vijimit të mësimit me dy turne.
Aneo Hila, prind aktiv nga Komuniteti i Prindërve për Arsim Cilësor, i tha BIRN se mësimi me dy turne dhe ambjentet jo të mjaftueshme do kushtëzonin formimin e fëmijëve, por edhe përditshmërinë e prindërve.
“Klasat dhe ambjentet jo të mjaftueshme nuk lejojnë fëmijët të zhvillohen apo të mësojnë në kushte optimale, teksa shkolla pa laboratore shkencash, salla arti, palestër të madhe mjaftueshëm për numrin e fëmijëve, dhoma zhveshjesh sipas gjinive, i limiton fëmijët në zhvillim mediokër”, i tha BIRN Aneo Hila, duke u shprehur se kjo ishte e papranueshme për ta.
Lidhur me mundësinë e mësimit me dy turne, Hila shtoi se fëmijët që detyrohen të frekuentojnë turnin e pasdites, jo vetëm që nuk nxënë njëlloj me ata të orëve të mëngjesit, por janë gjithashtu një logjistikë e tmerrshme për prindërit që punojnë.
“Fëmijët pasdite deprivohen nga aktivitete sociale, kulturore dhe kohë cilësore me familjen,” shtoi Hila.
“Nga ana tjetër, prindërit punojnë në mëngjes. Kush do të kujdeset për këta fëmijë paradite që prindërit janë në punë? I bie që një nga prindërit duhet të sakfrifikojë të lërë punën, gjë që ngre barrën financiare në familje, redukton aftësinë e prindërve që të ndërtojnë një jetë cilësore për familjen”, shtoi Hila mbi zinxhirin e gjatë të pasojave që sjell mësimi në turnin e pasdites.
Ngjashëm, Ermelinda Hoxhaj, gazetare dhe pjesë e Komunitetit të Prindërve për Arsim Cilësor, u shpreh për BIRN se në një kohë që prindërit po prisnin t’u jepnin fund problemeve të vjetra të mësimit me dy turne, ato po përballen me këtë situatë të papritur në godinën e re të shkollës.
“Ne si prindër kemi luftuar për programin pas shkolle, për orarin 8:00 me 16:00, ndërsa këta na kthejnë hapa prapa. Kjo është skandal,” tha Hoxhaj për BIRN.
“Si mund të bëhet një investim rreth 4.9 milionë euro nga taksat tona pa llogaritur kapacitetin e shkollës, pa bërë një studim demografik, pa patur një ide të qartë zhvillimi,” shtoi ajo.
Sipas Hoxhajt, përveçse këto mungesa nuk cenojnë vetëm mbarëvajtjen e mësimit, por ndikojnë edhe në mirëqenien e fëmijëve.
“Mësimi me turne jo vetëm që lodh fëmijët dhe prish rutinën e familjeve, por penalizon pikërisht projektet e qëndrimit pas shkolle,” shtoi Hoxhaj.
Sipas prindërve, Bashkia duhet të mbajë përgjegjësi për këto mungesa të konstatuara në godinën e re, pasi shqetësime të tilla i ishin bërë asaj me dije që në fillim të projektit.
Aneo Hila i tha BIRN se zëri i prindërve nuk u dëgjua, edhe pse ata e kishin kundërshtuar projektin si të papërshtatshëm prej fillimit.
“Ankesa dhe zëri i prindërve ka qenë gjithmonë i ngritur, që kur u bë konsultimi fillestar i projektit në shkollë,” tha ai. “Së bashku me arkitektë e inxhinierë i treguam që projekti nuk parashikon klasa mjaftueshëm për fëmijët e regjistruar, duke kërkuar të ndryshojnë projektin dhe duke i dhënë referenca si ta ndryshojnë”, thekson Hila.
I zhgënjyer, ai pranon se e vetmja alternativë e mbetur është të ngrenë zërin për të drejtën e tyre.
”Për të gjitha këto papërgjegjshmëri të njëpasnjëshme të Bashkisë Tiranë prindërit nuk kanë alternativë tjetër veçse të protestojnë dhe të luftojnë për atë që është e drejtë”, i tha BIRN Hila.
E kontaktuar nga BIRN, Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.