Shkollimi i lartë në SHBA duhet ta paguajnë prindërit?!
Kethlin Richie e ngriti padinë kundër prindërve të saj në gusht 2013, duke u kërkuar atyre 906 dollarë për shkollimin e saj në kolegjin Rowan në Pensilvani. Disa muaj më vonë, një gjykatës vendosi në favor të saj. Të hënën, ai i qëndroi vendimit të tij dhe urdhëroi që prindërit të paguanin deri në fund të vitit.
Në tetor, Kethlin Richie paditi përsëri prindërit e saj për një tjetër pagesë prej 16,000 dollarësh për shkollimin në Universitetin Temple të Filadelfias, ku dhe studion aktualisht. Në tetor, një gjykatës vendosi në favor të saj, por Michael Richie dhe McGarvey po planifikojnë të apelojnë, duke thënë se vajza e tyre nuk aplikoi për të gjitha kreditë e buta dhe bursat. Ata po kërkojnë fonde për apelimin e tyre në një faqe interneti.
McGarvey, një mësuese anglishteje dhe Michael Richie, një trajner basketbolli në një shkollë të mesme, janë divorcuar dhe u martuan përsëri dhe kanë një fëmijë më të vogël në moshë se vajza. Prindërit që jetojnë në Nju Xhersi thonë se nuk mund të përballojnë shkollimin jashtë shtetit të vajzës.
Marrëdhëniet kanë disa kohë që janë tendosur mes Kethlin Richiet dhe prindërve të saj. Në shkurt 2013, Kethlin Richie shkoi të jetonte me gjyshërit e saj. Arsyeja e zhvendosjes është një debat: McGarvey i tha gjykatës se vajza e saj u largua, sepse asaj iu kërkua të bënte punët e shtëpisë dhe të respektonte kthimin në shtëpi përpara errësimit, e po ashtu kishte probleme me alkoolin. Kethlin Richie tha se ajo u largua pjesërisht prej një mosmarrëveshje për shkollën verore.
Në nëntor, në një postim të saj në mediat sociale, McGarvey shkroi rreth problemit të vajzës së saj me alkoolin dhe shpjegoi se ajo kishte vënë rregulla strikte nëse ajo donte të jetonte në atë shtëpi. “Ky plan përfshinte një punë me kohë të plotë, punë shtëpie, kthim para se të errësohej në shtëpi dhe regjistrimin e saj në tri programe mësimore verore”, shkruan ajo.
“Pjesa e vetme që ajo kishte problem, ishin tri programet mësimore verore. Ajo zgjodhi që të largohej nga shtëpia më mirë, sesa të ndiqte rregullat e kërkuara. Ajo mblodhi plaçkat dhe shkoi në shtëpinë e gjyshërve”.
Andrew Rochester, avokati i Kethlin Richiet, pretendon se ajo u largua nga shtëpia pa dëshirë. “Kethlin nuk u largua me vullnetin e saj nga shtëpia. Ajo u nxor jashtë nga e ëma”, tha ai.
McGarvey vazhdon në postimin e saj: “Isha shumë e qartë me Kethlin se çfarë do të thoshte largimi i saj nga shtëpia dhe se çfarë pasojash do t’i vinin: do t’i prisnim paratë e mbështetjes. Më shumë se një herë i thashë të kthehej në shtëpi. Ajo nuk donte.
Donte të jetonte pa rregulla, pa kontakt me prindërit e saj dhe donte që babai i saj dhe unë të paguanim për këtë. Brenda pak muajsh, teksa jetonte me gjyshërit, Kethlin mori një avokat dhe na hodhi në gjyq për pagesën e kolegjit dhe për një makinë të re”
Këto pretendime janë të dyshimta dhe gjykatësi po e inkurajon familjen ta zgjidhë konfliktin mes saj. “Unë e dua atë fëmijë më shumë se çdo gjë. Por ajo do vetëm paratë”, tha e ëma e vajzës.
Kethlin Richie nuk ra dakord: “Nuk ka të bëjë me paratë. Unë dua të shkoj në kolegj”. “Kethlin është vërtet një vajzë e mirë”, tha avokati i saj. Ajo do vetëm të shkojë në kolegj dhe për disa arsye nëna dhe babai i saj nuk mendojnë kështu.
Sipas ligjit të Nju Xhersit, prindërit e divorcuar që janë në gjendje financiarisht, duhet të kontribuojnë për shkollimin e lartë të fëmijëve të tyre. Nëse prindërit nuk paguajnë, fëmijët kanë të drejtë ta kërkojnë pagesën nëpërmjet gjykatës.
Gjykatat i shohin detyrimet e prindërve ndaj fëmijëve si primare. Nëse ka një fëmijë që i pëlqen shumë shkollimi i lartë, në shumicën e rasteve gjykata vendos në favor të tyre.
Rasti i Kethlin nuk është i vetmi në SHBA. Edhe më herët një 18-vjeçare ngriti pati ndaj prindërve të saj që t’i paguanin kolegjin, por çështja nuk përfundoi pasi ajo e tërhoqi akuzën.
I.D
*Burimi: Yahoo News