ArteIntervista

Shkrimtari vjedh veten për të gdhendur personazhet e tij

  • Intervistë e shkrimtarit Thanas Medi, fitues i Çmimit të Madh Kombëtar të Letërsisë (2013), akorduar nga Ministria e Kulturës për romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”
    Thanas Medi, autori i romanit " Fjala e fundit e Sokrat Bubes"
    Thanas Medi, autori i romanit ” Fjala e fundit e Sokrat Bubes”

Librin fitues mund ta blini Online duke klikuar këtu

Thanas Medi, shkrimtari fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë (2013) vjen në një intervistë për gazetën “Shekulli”. Ai rrëfen se është një nga shembujt më të mirë, se edhe në rastet kur nuk të njeh masa, mundesh t’ia dalësh mbanë. Ajo çka e ka habitur më tepër shkrimtarin, është paragjykimi që lindi për këtë çmim qysh në ditët e para, qoftë edhe nga njerëzit e kulturës, të cilët edhe pse nuk e kishin lexuar librin, shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj këtij vlerësimi. Megjithatë ky fakt, edhe pse në emigrim, nuk e ka ndalur Thanas Medit që të vazhdojë të shkruajë. Ai aktualisht është duke shkruar romanin e radhës.

Sa herë bie fjala për ty, apo të kujtoj tani, më vjen si Thanasi i Sokrat Bubës. Ty të ndodh ta quash ndonjëherë veten Thanasi i Sokratit?

Më dendur kjo ka ndodhur atëherë kur shkruaja librin. Shihja se duke kompletuar figurën e Sokrat Bubës, “vidhja” gjëra nga vetja ime. Ose Sokrati, duke u formësuar, merrte nga unë. Ishte një marrëdhënie reciproke, ku unë jepja për ta bërë sa më të vërtetë atë, ai merrte se shihte gjëra të ngjashme tek unë. Besoj se çdo autor lëviz në këtë hulli. Duhet të japë patjetër diçka nga vetja, pasi vetëm kështu letërsia ngjit. Kështu shkrimtari lë pak vetvete te personazhi dhe personazhi me këtë fiton besueshmëri e origjinalitet.

Dihet edhe nga lexuesit më të thjeshtë, se personazhet në art janë mozaik të bërë me copëza njerëzish e ngjarjesh të njohura nga shkrimtari. Me çfarë syri i shikon tani që “Sokrati” është kampion, copëzat e mozaikut tënd, Thanas?

Më kujtohet intervista e një shkrimtari këtu në Athinë, që ka thënë pak a shumë kështu: Se sa krijoj, unë më tepër ngjis. Bashkoj pjesë të ndryshme në një. Kjo më ka ndodhur dhe mua me ngjarjet apo personazhet e mi. Besoj se një shkrimtar fikson më tepër gjërat më semantike. Më pikante. Pa mbajtur ditar, por njëkohësisht mban në mënyrë të vetvetishme. Është ditari i kujtesës, që zbrazet atëherë kur shkruan. Unë të paktën, këtë vërej te vetja. Dhe kur kam filluar të mbaj ditar, e kam lënë, por më ka dalë para ditari i kujtesës. I gjërave më semantike. Ai që ka fiksuar fjalë, shprehje, vende, situata, tipa e ngjarje të ndryshme. Që funksionojnë gjatë të shkruarit, si elementë për formimin e një mozaiku që shfaqet si personazh apo ngjarje e caktuar. Ajo që ka vlerë këtu, është të thuhet se elementet apo copëzat e mozaikut, nuk duhet të kërcasin kur i vë bashkë. Duhet të krijojnë harmoni si një e tërë. Kështu arrihet një harmoni e veçantë, por s’duhet harruar dhe harmonia e përgjithshme. Kjo do të thotë, se pjesa duhet të harmonizohet me të tërën. Pra, të kemi një mozaik të tërë harmonik. Dhe përderisa romani im u vlerësua, Sokrati u shpall kampion i viti 2013 siç thua ti, tregon se këtë punë duhet ta kem bërë mirë.

Ekziston gjëkundi ndonjë copëz Katerinë e vërtetë, ndonjë femër që duke lexuar romanin, të thotë me vete “ah Thanas, Thanas, ç’na bëre!”?

Mund të ekzistojnë më shumë se një, përderisa fati i Katerinës së librit mund të ketë prekur dhe shumë të tjera në jetë. Por ajo, e veçanta sigurisht që ekziston dhe po e lexoi librin, ose numrin e sotëm të gazetës “Shekulli”, besoj se do thotë më shumë se kaq. Megjithatë një gjë është e sigurtë: haku për bukuri fizike të paktën, nuk i është ngrënë.

Me rastin e romanit të është dashur t’i përtypësh gjatë edhe Lunxhërinë, edhe viset ku ke jetuar para saj. Edhe njerëzit e tyre. Shto këtu që romani është shkruar edhe me një tis të dyfishtë nostalgjie, sepse është shkruar në vend të huaj. Ngjan me atë të optikës artistike realiteti i Lunxhërisë dhe njerëzve të saj?

Deri në moshën dhjetë vjeç unë jetova shtegtimin, me shtëpinë në kurriz të mushkës, siç thotë një këngë popullore. Linda në rrugë, në rrëzë të malit të Gramozit, mbi Ersekë. Dhe kishim shtëpi me kashtë deri në vitet 70-të. Kur u prishën fermat e mëdha blegtorale dhe u ngulëm përfundimisht në Dhoksat të Lunxhërisë. Këtu do kishim shtëpi guri, të mëdha, të larta, me dhoma të bollshme e oda për të pritur miqtë. Dhoksati është xhevahiri më i bukur i Lunxhërisë. E quaj veten me fat, që këtu u formova përfundimisht si njeri. Në roman vijnë të dyja këto anë apo jetë. Dhe ajo e lëvizshmja, dhe e ngulura. Është e natyrshme që lexuesi i njohur të gjejë këtu dhe Lunxhërinë. Shkrimtari nuk i shpëton dot vendlindjes, as njerëzve me të cilët ka patur të bëjë. Dikujt mund të mos i pëlqejë “Lunxhëria” e romanit, por për këtë nuk duhet të bëjë me faj shkrimtarin. Duhet të bëjë letërsinë, e cila e ka të vështirë të gënjejë. Nga ana tjetër, s’duhet harruar se shumë të meta kanë qenë dhe mëkate të diktaturës, ndaj dhe jo çdo faj duhet marrë mbi vete. Gjithashtu asgjë nuk duhet të merret si absolute. Fjala vjen, Lunxhëria është shumë e dashuruar me mikpritjen, por kjo s’do të thotë që ta shenjtërojë vetveten. Asgjë nuk është e shenjtë, përveç Zotit dhe dishepujve të tij. Më konkretisht, jo në gjithë fshatrat e Lunxhërisë u prit mirë ngulja e vllehve. Në një nga fshatrat i zbuan fare, ky është një realitet. Janë vështirësitë që hasin dy popuj të ndryshëm për të bashkëjetuar. Ashtu siç ka qenë realitet, se ka patur dhe lunxhotdiktatorë të vegjël, nga ata që i lindte e atëhershmja.

Afro njëzetë vjet në Greqi. Është një jetë e tërë e mbushur me ngjarje, me të mira e me të liga. Është megjithatë një vend i huaj Greqia për Thanas Medin? Po për Thanasin e Sokrat Bubës?

Pyetja është e dyfishtë, si njeri dhe si shkrimtar. Kam mendimin se emigrantët e moshës sime, kudo ku u ka rënë në pjesë të ngulen, mbeten të huaj për atë vend. Ata mund të jetojnë larg atdheut, por nga mendja nuk e shkulin dot atë. Pasi atje u plotësuan si njerëz. Një fillim i ri është tepër i vështirë. Jetojnë më tepër si qenie të dyzuara. Dyzimi do t’i ndjek nga pas si pajë. Për këtë kam shkruar gjerë e gjatë në romanin e parë, “Hija e mallkuar”. Emigrantët në njëfarë forme janë hijet më të dhimbshme të shekullit. Kjo hije rëndon më shumë tek ata që kanë qoftë edhe një grimë prirje për letërsi. Dhe ç’bëjnë: rrëmbejnë mellan e letër dhe shkruajnë. Poezi më shumë, se malli del më shpejtë, tregime, novela apo romanë. Kështu më ndodhi dhe mua, por vajta deri te romani meqë e mbaja veten për burrë i zoti. (Qesh) Sidoqoftë, vendi i huaj ka një të mirë për atë që shkruan: është më komod. Bashkë me vështirësitë, është dhe mundësia e të vështruarit të gjërave nga larg. Që veç të tjerash, sikur ndikon për veshjen e rrëfimit me një si vello të ngrohtë. E bën atë më të ndjeshëm e më njerëzor. Kur jam në atdhe, vështirësohem të shkruaj. Seç më pengon. Ndoshta ngaqë u mësova ta vështroj nga larg.

“Sokrati” u cilësua si romani më i mirë për vitin 2013. Por jehona për të është ku e ku më modeste, se shungullimat që bëhen nga qarqet dhe klanet letrare për turlilloj limonadash. Pse të ndodhë kështu vallë? Të drejtën më thuaj, në këtë lesh e li propagande e reklame, e gjen ndonjëherë veten të habitur, që u kurorëzove ? Mbreti i letrave” për vitin 2013?

Habia ime ka qenë e madhe dhe e natyrshme, ashtu si e shumë të tjerëve që janë familjarizuar me opinionin e viteve demokratikë “nuk bëhet ky vend”. Krimbi i mosbërjes, ashtu si në çdo fushë të jetës, ka brejtur dhe në kulturë e letërsi. E vura re këtë që në ditët e para që mora çmimin. Mjaft kritikë, gazetarë e shkrimtarë reaguan si të isha futur kontrabandë në baçen e tyre. Për t’u vjedhur presh e lakra. Pa e lexuar fare librin, e hodhën helmin dhe shpifjen. Më kujtuan plakat thashethemxhesha të fshatit. Që s’e kanë për gjë ta nxjerrin “kurvë”, edhe vajzën më të pafajshme të gjitonisë. Lulëzon një fshatarësi me bisht, te shumë intelektualë me kravata firmato, që e mbajnë veten me horizont të paarritshëm. Horizonti i tyre është kaq i ngushtë ndonjëherë, sa të llahtaris. Fjala vjen, një nga këta, u shpreh në një kanal për çmimin që m’u dha mua, se nuk e meritoja e duhej ta kish marrë filan shkrimtar. Pa e lexuar librin tim, por kish lexuar të filanit. Vetëm se libri i filanit i pëlqente atij, dhe gjykimi i tij nuk mund të vihej në diskutim. Vetëm se unë isha një i panjohur që s’më njihte askush, kurse tjetri i krihte bishtin ditë për ditë. Se mua nuk më kishin zënë prapanicat kallo nëpër kanale, kurse atij i kishin zënë. Ka shumë të tillë, që ngatërrojnë të qenit kritik, me të qenit pedant e arrogant. Arroganca e politikës sikur është futur dhe në kulturë, në arsim, në letërsi e kudo. Dhe kjo është një fatkeqësi e vërtetë. Nga ana tjetër, ne të panjohurit nuk duhet të dekurajohemi, se jo gjithmonë triumfon injoranca. Rasti im me çmimin e dhënë nga juria e Ministrisë së Kulturës, është besoj shembulli më i mirë. Derisa të ketë një kritikë serioze, gjë që vendi ynë akoma nuk e ka. Pak janë intelektualët e mendimit të përparuar dhe sikur dominohen nga intelektualë me temperament anadollak.

Vetëm romane do bëj sa të kem fat të shkruaj

Ne jemi shokë fëmijërie, rritur komshinj, portë më portë. Rastisi që të isha lexuesi i parë i “Sokratit…” ende pa u bërë libër dhe më besove redaktimin. Rastësi që nuk ndodhin dendur. Beson në rastësinë e mrekullueshme Thanas? Beson në fat e zot?

Besoj në rastësinë e domosdoshme, Arben. Domethënë tek ajo që mund të ndodhë, vetëm në qoftë se dërsin shumë për t’ia arritur diçkaje. Dhe kur e dëshiron shumë atë që bën. I besoj fjalës që thotë: “Fati ndihmon atë që është i përgatitur”. Por dhe rastësia e mrekullueshme luan rol. Është si një gjë më tepër, për të futur ujin në brazdë. Gjëja e tepërt në rastin që po flasim je ti, ose gjitonia e dikurshme portë më portë. Bashkëfshatarët, jashtë fshatit, bëhen kushërinj. Te fati besoj, Zotin le ta lëmë mënjanë.

Libri tjetër prapë roman?

Sigurisht, është duke u mbyllur. Vetëm romane do bëj, sa të kem fat të shkruaj. Se dhe kur nis ndonjë tregim, më ndodh diçka e çuditshme; sikur humbet në romanet që presin në radhë.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button