Rajoni

Shkup, mbahet manifestimi me rastin e 21 dhjetorit: Dita e Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni

U mbajt në Shkup manifestimi qendror me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Lidhjes së Organizatave Joqeveritare në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA). Në evenimentin e sontëm morën pjesë zëvendëskryeministri i Republikës së Turqisë, Hakan Çavusoğlu, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ministra të shumtë, deputetë, ambasadorja e Turqisë në Maqedoni, Tülin Erkal Kara, përfaqësues të korit diplomatik, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave shtetërore, si dhe mysafirë të shumtë nga qytete të ndryshme në Maqedoni.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavusoğlu, ua uroi të gjithë qytetarëve të Maqedonisë Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke. Në fjalën e tij, Çavusoğlu theksoi se ngjarjet në Ballkan dhe në Maqedoni kanë ndikuar drejtpërdrejt në historinë botërore dhe turke dhe shtoi se gjuha është një element thelbësor për ruajtjen e identitetit të një kombi.

“Pa mbrojtje të gjuhës, nuk mund të mbrohen as kultura, as tradita,” tha Çavusoğlu.

Ai theksoi se përdorimi dhe mbrojtja e gjuhës turke në një vend si Maqedonia, e cila ngërthen shumë kultura të ndryshme, është shumë e rëndësishme, duke vënë në dukje se Turqia ka zbatuar një sërë aktivitetesh për të mbrojtur gjuhën turke në mbarë botën.

“Nëpërmjet TIKA-s, Institutit Junus Emre dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe organizatat, mbështeten përpjekjet e vëllezërve tanë në rajone të ndryshme për të mbrojtur gjuhën e tyre amtare dhe ata që duan të mësojnë turqishten. Ashtu siç tregojmë ndjeshmëri për gjuhën turke, njashtu zbatojnë projekte për të mbrojtur trashëgiminë arkitekturore dhe kulturore në këto rajone për të mundësuar që brezat e ardhshëm të përfitojnë nga kjo trashëgimi”, tha Çavusoğlu, i cili shtoi se festat janë simbol i unitetit.

“Vëllezërit e mi, ne do të kundërshtojmë çdo nismë që shënjestron unitetin. Fati i kombit tonë i cili më 15 korrik doli në rrugë në Turqi përkon me fatin e popullit të Maqedonisë”, tha Çavusoğlu.

Ai rikujtoi se populli turk doli në rrugë me thirrje të presidentit Erdoğan dhe shtoi se marrëdhëniet me vëllezërit nga Maqedonia të cilët, siç tha ai, me gjithë zemër e ndanë fitoren me kombin turk, i cili më 15 korrik eliminoi terroristët e FETO-s të cilët ndërmorrën tentativë për grusht shteti, u bënë më të afërta dhe më të forta.

Zaev: Maqedonia mbështet Turqinë kundër organizatës terroriste FETO

Kryeministri Zoran Zaev uroi Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke në emër të Qeverisë, në emër të vet dhe në emër të qytetarëve të Maqedonisë, si dhe dërgoi përshëndetje për mysafirin nga Qeveria e Turqisë, zëvendëskryeministrin Hakan Çavusoğlu.

Zaev dërgoi përshëndetje edhe deri te populli mik i Turqisë, siç e quajti ai, si dhe deri te presidenti Recep Tayyip Erdoğan. Ai tha se festimet me rastin e kësaj feste janë edhe një dëshmi dhe konfirmim i miqësisë tradicionale dhe bashkëpunimit të shkëlqyer midis Maqedonisë dhe Turqisë.

Zaev theksoi se Turqia ishte vendi i parë i cili ofroi një dorë miqësore në fillim të pavarësimit të Maqedonisë dhe vend i cili ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ndihmë në të gjitha sferat e jetës shoqërore.

Kryeministri Zaev rikujtoi se Maqedonia dhe Turqia shënojnë data të rëndësishme krahas festës së sotme, siç theksoi ai, në lidhje me një prej figurave më të rëndësishme në historinë e Turqisë, Mustafa Kemal Ataturkun.

Ai u shpreh se marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Turqisë janë një shembull i bashkëpunimit dhe ndikimit në bashkëpunimin në rajon dhe më gjerë.

“Dy vendet tona nuk kanë çështje të hapura. Maqedonia e mbështet Turqinë kundër organizatës terroriste FETO dhe atë do ta dëshmojmë me miqësinë tonë në të ardhmen. Bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve është i shkëlqyer. Atë e siguruam me rreth 100 marrëveshje për bashkëpunim të përbashkët në shumë fusha. Të rralla janë vendet që mund të krenohen në këtë mënyrë për bashkëpunim me një vend tjetër”, deklaroi Zaev.

Ai porositi se Turqia me mbështetje të fortë, kontriboi që Maqedonia të bëhet pjesëmarrëse aktive në sigurimin e paqes dhe sigurisë globale, që është, siç tha ai, me një rëndësi të madhe për aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO.

“Dihet që prioritet i Maqedonisë është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Nga Turqia si anëtare e NATO-s, në vazhdimësi marrim mbështetje të pakushtëzuar dhe të plotë për përmbushjen e këtyre aspiratave tona. Vetëm në këtë mënyrë Ballkani Perëndimor do të jetë më i sigurt, më i fortë, ndërsa bashkëpunimi edhe më tej do të përforcohet”, tha Zaev.

Kryeministri maqedonas shtoi se Turqia është një ndër donatorët më të mëdhenj të ndihmës me pajisje të Armatës së Republikës së Maqedonisë, duke bërë të ditur se para dy ditëve Qeveria e Maqedonisë pranoi marrëveshjen për bashkëpunim ushtarak financiar, që parasheh mbështetje në vlerë prej 1.5 milion dollarë nga ana e Turqisë për Maqedoninë.

Ndër të tjera, Zaev theksoi se komuniteti turk është pjesë e rëndësishme dhe konstruktive e shoqërisë multietnike e Maqedonisë dhe shprehu bindje se së shpejti ai do të ketë një vizitë zyrtare në Turqi.

Gjatë kësaj ngjarjeje, kur përmendej emri i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dëgjoheshin duartrokitje të shumta nga publiku në sallë, ndërsa kur përmendej emri i organizatës terroriste FETO, dëgjoheshin britma kundër kësaj organizate. Ndërkaq, ministri paresor në Qeverinë e Maqedonisë i angazhuar për investime të huaja, Adnan Qahil, theksoi se ashtu si ka qenë deri më tani, poashtu edhe në të ardhmen do t’i aktualizojnë problemet e turqve dhe kurrë nuk do të mungojë mbështetja e tyre. Qahil përcolli falënderime deri te MATÜSITEB për shkak të asaj se aktivitetet dhe festa kombëtare e turqve në Maqedoni janë kultivuar në një traditë. “Zemra e turqve troket këtu”, tha ministri Qahil.

Kryetar i MATÜSITEB-it, Hüsrev Emin, theksoi se ata si institucion do të realizojnë edhe më shumë aktivietete, si dhe shtoi se do të kontribuojnë në zhvillimin e turqve në Maqedoni.

Në kuadër të këtij programi u ndanë dhurata për pjesëmarrësit nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore, të cilët mësuan gjuhën turke. Pas fjalimeve, vijoi programi festiv me rastin e 21 Dhjetorit, me koncertin e këngëtares turke Hande Yener.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button