Qytetarë të shumtë vërshuan ditën e dielë në rrugët e Shkupit në marshin në mbështetje të referendumit më 30 shtator. Me flamuj të Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, marshi u ndal para zyrës së BE-së ku u përcollën mesazhe për ardhmërinë e vendit. Kryeministri Zoran Zaev u shpreh i bindur se qytetarët pa dallim përkatësie etnike do t’i thonë PO integrimit në NATO dhe në BE dhe do ta mbështesin votimin e fund-shtatorit.
“Patjetër duhet ta dimë të gjithë se marrëveshja është korrekte dhe e drejtë, të dyja palët përfitojnë njësoj. Dikush thotë, ja opozita edhe në Greqi edhe në Maqedoni po bëjnë vetëm thashetheme, që do të thotë se njëjtë kemi fituar ose njëjtë kemi humbur. Unë ju siguroj se nga marrëveshja me Greqinë kanë fituar të dyja palët, dhe asgjë më pak. Kjo marrëveshje siguron perspektivë, miqësi, integritet, gëzim, ekonomi, investime, zhvillim, siguron ardhmëri evropiane”- tha Zoran Zaev.
Kryeparlamentari Talat Xahferi tha se ngjarjet e së kaluarës mes Greqisë dhe Maqedonisë do të shndërrohen në ura bashkëpunimi e mirëkuptimi.
“Tejkalimi I kontestit me Greqinë dhe përmirësimi I klimës së bashkëpunimit me të gjithë fqinjët ishte dhe do të mbetet prioritet I politikave tona afatgjate. Kurse referendumi që mbahet më 30 shtator I konfirmon përpjekjet tona për një filozofi të re politike që kuptimet e së kaluarës ti kthejmë në ura bashkëpunimi e mirëkuptimi me fqinjët”- deklaroiTalat Xhaferi.
Një marsh i ngjashëm u organizua edhe nga BDI-ja nëpër rrugët e Çairit. Zv/ kryeministri Bujar Osmani tha se është momenti vendimtar që shqiptarët të përcaktohen për pozicionin e tyre gjeopolitik.
“Mundësia e parë kur ne si shqiptarë, publikisht populli para botës do të tregoj pozicionin e tyre gjeopolitik, ajo ditë do të jetë 30 shtatori. 30 shtatori, reflektorët e botës do të jenë të ndriçuara këtu në Maqedoni për të parë pozicionin e secilit. Nuk ka mënyrë më të mirë, më solemne publike secili prej nesh për të tregu se për çfarë kemi luftuar në këto 200 vitet e fundit dhe për çka pozicionohemi ne”- tha Bujar Osmani.
Deri në mbajtjen e referendumit të 30 shtatorit kanë mbetur edhe dy javë të plota, ndërsa për fushatë vetëm edhe 12 ditë.