Komisioneri i BE për Zgjerimin në Shkup: RMV të vazhdojë me reformat në adminsitratën publike, luftën kundër korrupsionit si dhe në gjyqësor, të bëjë përpjekje më të mëdha për zbatim të planit strategjik gjyqësor.
Maqedonia e Veriut ka mbajtur një ritëm të qëndrueshëm përparimi dhe ajo ka vazhduar në kryerjen e reformave në fushën e sundimit të ligjit, duke përfshirë gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Maqedonia e Veriut (RMV) duhet të vazhdojë të mbajë këtë ritëm, tha Varhelyi.
KE propozoi një plan ekonomik dhe investues për rajonin me qëllim që të përmirësohet cilësia e jetës dhe të përputhet me standardet evropiane. BE ka vendosur të shpenzoj 9.5 miliard euro për Ballkanin Perëndimor që mbulojnë 10 projekte të mëdha. Me një plan me qasje rajonale ,BE do të sigrojë fonde për negociata e antarësimit, infrastrukturën dhe ekonominë. Por që kjo të realizohet Varhelyi kërkon rezultate konkrete në fushat kyçe të reformave.
“Kuptohet kjo është vetëm ofertë, varet nga ajo se a do të arrijmë rezultate në reforma me çka do të përforcohet kredibiliteti i gjithë këtij procesi që kemi përpara. Duhet të shohim që puna në terren zhvillohet shumë shpejtë në luftën kundër korrupsionit, sundimin e së drejtës dhe gjithë ligjet që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, por edhe në gjyqësor dhe prokurori, të shohim rezultate që të mund ta prezantojmë përkushtimin tuaj para vendeve anëtare”, deklaroi Varhelyi.
Në pyetjen se a mundet Bullgaria të bëhet pengesë për fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së , Varhelyi u përgjigj, se pret të gjendet marrëveshje e përbashkët.
“Punojmë bashkë me autoritetet e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri javën e kaluar ishin me mua dhe në mënyrë të drejtpërdrejt i inkurajova që të angazhohen dhe të punojnë me fqinjët e tyre, sepse kjo është në interes të përbashkët: të arrihet një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët”, deklaroi Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Sa i përket fillimit të negociatave aderuese mes BE-së dhe RMV-së, Varhelyi tha, se BE mbetet e angazhuar në mënyrë që negociatat të fillojnë gjatë presidencës gjermane.
Zaev:Jemi në rrugë të mirë, do t’i implementojmë rekomandimet e KE-së
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev thotë se vendi është në rrugë të drejtë dhe se duhet të vazhdojë me zbatimin e ligjeve të miratuara. Moment shumë i rëndësishëm është që raporti i KE-së publikohet në periudhën e riafirmimit të hapave të reformave dhe programit të qeverisë së re dhe paraqet një instrument shumë të rëndësishëm në përkufizimin e prioriteteve për periudhën vijuese.
“Raporti i KE-së jep pasqyrë të qartë për gjendjen e vendit, nënvizon fushat ku është arritur përparim si dhe fushat ku duhen përpjekje shtesë për harmonizim me standardet evropiane. Në raportin për Maqedoninë e Veriut thuhet se dialogu përmbajtësor i RMV me BE-në gjendet në nivel shumë të lartë, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi gjatë qëndrimit në Shkup mbajti një fjalim edhe para deputetëve të Parlamentit të RMV.