Rajoni

Shkupi në pritje të raport-progresit të KE

Arritjet në gjyqësi, parandalimi i korrupcionit, marrëdhëniet ndëretnike e fqinjësore, dialogu politik, reformat në administratë, liria e mediave mbeten në fokusin e interesit të ndërkombëtarëve, që vizitojnë Maqedoninë.

Nikola Gruevski Premierminister Mazedoniens 19.06.2014

Para publikimit të progres raportit të KE-së për arritjet e Maqedonisë gjatë këtij viti në Shkup ka qëndruar delegacioni i Drejtorisë për zgjerim nga Komisioni Evropian i udhëhequr nga Dejvid Kulen. Në takimet me autoritetet më të larta të vendit është biseduar për prioritetet kyqe të Maqedonisë në procesin e eurointegrimeve, me ç’rast theks i veçantë i është kushtuar arritjeve në sferen e dialogut politik, marredhenieve fqinjësore, reformave në gjyqësi dhe administratën publike dhe bashkëpunimit rajonal.

Deri në shpalljen zyrtare të progres raportit me 8 tetor mbetet çështje e hapur, nëse ky raport do të jetë i gjashti me rradhë me rekomandim pozitiv për fillimin e bisedimeve të Maqedonise për anëtarësim në BE. Sipas ekspertëve është më se e qartë se raporti krahas arritjeve do të përmbajë edhe një sërë vlerësimesh negative, të cilat kanë qenë prezente edhe në raportet e mëparshme të Komisionit Evropian.

Analistët: Maqedonia një hap para dy mbrapa

Malinka Ristovska-Jordanova nga Instituti për politika evropiane thotë se problem kryesor i Maqedonisë për momentin është mungesa e dialogut politik, që edhe më tej është thelluar me moprezencën e opozitës në parlament.

“Raporti gjithsesi do të jetë kritik nga fakti se në parlamentin e Maqedonisë mungon opozita. Deri tani janë miratuar një sërë ligjesh pa prezencën e opozitës. Punimet e parlamentit po bojkotohen edhe nga opozita shqiptare, që është problem në vete. Maqedonia në vend se të ecë përpara me veprimet e saj politike shkon mbrapa. Jam skeptike, nëse sërish marrim rekomandim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në BE”, thotë Malinka Ristovska-Jordanova.

Kancelarja Merkel me kryeminsitrin Gruevski në Berlin
Kancelarja Merkel me kryeminsitrin Gruevski në Berlin

 

Profesori universitar Zdravko Savevski thotë se është e kotë të pritet ndonjë befasi nga Brukseli kur dihet fakti se në Maqedoni në shumë sfera kemi ngecje.

“Duke u nisur nga ngecja e demokracisë në Maqedoni dhe shumë dukurive, që nuk janë për tu përshëndetur, vlerësoj se vendi nuk është në rrugë te mbarë dhe se imazhi i shtetit gjithnjë e më shumë po rrënohet tek opinioni ndërkombëtar. Mirëkuptimi për problemet e Maqedonisë po humbet në durimin e ndërkombëtarëve”, thotë Savevski.

A po humbasin ndërkombëtarët durimin?

Ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni Poll Volers ka shprehur kritika të ashpra për politikbërjen në Maqedoni. Sipas tij politikanët në Shkup po bëjnë politikë të shkatërrimit të vendit e jo politikë të tejkalimit të konflikteve dhe problemeve.

“Fatkeqësisht në shumë vende, por mund të them edhe këtu në Maqedoni, shpesh shoh liderë, që kërkojnë interesa afatshkurte politike për vete dhe partitë e tyre politike, duke shfrytëzuar konflikte, në vend që të punojnë për qetësimin e tyre. Kjo është receta për mossuksesin e një vendi”, është shprehur kohë më pare Poll Volers, ambasador i SHBA-ve në Shkup.

Deputeti i Bundestagut gjerman, Trosten Fraj, gjatë qëndrimit në Shkup është takuar me negociatorin për çështjen e emrit, Vasko Naumovski. Ai ka thënë se Maqedonia në bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit ka përkrahjen e plotë të Gjermanisë, qëndrim ky që është theksuar edhe nga kancelarja Angela Merkel.

Frei: Të mirat e vendit dhe prosperiteti i qyterarëve nuk duhet të varen nga emri.Frei: “Të mirat e vendit dhe prosperiteti i qyterarëve nuk duhet të varen nga emri.”

“Zgjidhja e çështjes së emrit është kyçe për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit. Të mirat e vendit dhe prosperiteti i qyterarëve nuk duhet të varen nga emri. Duhet seriozisht të diskutohet për një kompromis me të gjitha palët e përfshira në këtë kontest. Maqedonia nuk duhet të lëshojë përparësitë, që vijnë me anëtarësimin në BE vetëm për shkak të krenarisë”, thotë Fraj.

Analistët politikë vlerësojnë se sugjerimet e diplomatëve të huaj duhet të merren seriozisht nga politikanët vendas. Maqedonia në asnjë moment nuk guxon të vërë në pikëpyetje durimin e tyre.

“Liderët në Maqedoni në vazhdimësi po bëjnë gabime në udhëheqjen e politikës, e cila është në dëm të shtetit dhe qytetarëve. Nëse vazhdohet politika e tillë, që humbet shpresat e Maqedonisë për një anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe BE, ashpërsia e ndërkombëtarëve do të jetë edhe më e rreptë ndaj Shkupit”, thotë Ismet Ramadani, kryetar i këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button