Shkupi propozon kufizimin e shqipes në provimin e jurisprudencës, Ali Ahmeti thirrje Tiranës, SHBA-së dhe BE-së: Qeveria e Mickoskit po cenon të drejtat e shqiptarëve
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i është drejtuar me letër të hapur ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari dhe garantuesve ndërkombëtarë të Marrëveshjes së Ohrit, dy ditë para ardhjes së delegacionit të Komisionit të Venecias në Shkup.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut propozon që pjesa teorike e provimit të jurisprudencës të mund të jepet në shqip, ndërsa pjesa praktike të mbetet në maqedonisht. Kundër këtij propozimi ka reaguar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili, siç njofton Shqiptarja.com, i është drejtuar me letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke akuzuar qeverinë e Hristijan Mickoskit se prej më shumë se dy vitesh po ndërmerr hapa për kufizimin e të drejtave të shqiptarëve të fituara pas Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001.
Reagimi vjen dy ditë para mbërritjes në Shkup të delegacionit të Komisionit të Venecias, i cili më 26 dhe 27 nëntor do të shqyrtojë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës. Sipas Shqiptarja.com, Komisioni pritet ta paraqesë mendimin e tij për projektligjin në seancën plenare të 11 dhe 12 dhjetorit.
Ahmeti argumenton se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në fuqi që nga viti 2019, ua garanton juristëve shqiptarë të drejtën që provimin ta japin tërësisht në shqip, ndaj çdo zgjidhje që e kufizon apo e kushtëzon përdorimin e shqipes bie ndesh me këtë ligj. Sipas tij, provimi i jurisprudencës vlerëson njohuritë juridike dhe jo njohjen e maqedonishtes, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka konstatuar vetë shkelje të ligjit nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e studentëve.
“Ne nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë zbatimin e ligjit”, thekson Ahmeti në letër, duke shtuar se një zgjidhje pjesërisht në shqip e pjesërisht në maqedonisht nuk është hap përpara, por degradim i një të drejte të fituar. Ai u bën thirrje autoriteteve të heqin dorë nga çdo përpjekje për ngushtimin e të drejtave gjuhësore dhe Ministrisë së Drejtësisë të mundësojë dhënien e provimit edhe në shqip, siç e kërkon ligji.
Për këto shqetësime, Ahmeti u është drejtuar hapur edhe garantuesve ndërkombëtarë të Marrëveshjes së Ohrit — Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s — si dhe autoriteteve në Tiranë dhe në Prishtinë, duke theksuar se respektimi i të drejtave që burojnë nga kjo marrëveshje është garanci për barazinë, stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të vendit. Ndërkohë, kushtetutshmëria e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve vijon të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa studentët shqiptarë kanë paralajmëruar rikthimin e protestave.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.