Ekonomia

Shmangie të paligjshmërisë në prokurimet e 2020, APP: Ja ku duhet të bëjnë kujdes bizneset

Agjencia e Prokurimit Publik ka bërë me dije se, në përfundim të verifikimit të zbatimit të ligjshmërisë për procedura prokurimi, të zhvilluara nga autoritete të ndryshme kontraktore, gjatë vitit 2019, ka evidentuar problematika.

“Këto procedura u verifikuan në kuadër të zbatimit të një Plani Verifikimi, në të cilin u përfshinë procedura prokurimi të llojit “E hapur” dhe “Prokurime me vlerë të vogel”. Procedurat e përfshira në këtë plan kanë qenë objekt denoncimesh në APP, nga operatorë të ndryshëm ekonomike, të cilët kanë pretenduar shkelje të legjislacionit të prokurimit publik gjatë zhvillimit të tyre nga autoritetet kontraktore përkatëse. “-thotë më tej APP.

Bazuar në shkeljet/mangësitë e konstatuara në procedurat e verifikuara, me qëllim mirë-zbatimin e legjislacionit të prokurimit publik dhe shmangien e tyre në të ardhmen, APP liston të gjithë fushën se ku bizneset duhet të bëjnë kujdes gjatë procedurave të prokurimit në 2020:

1- Autoritetet kontraktore duhet të veprojnë në përputhje me kërkesat e nenit 23 të LPP dhe të përcaktojnë qartë specifikimet teknike për objektin e prokurimit dhe jo të mjaftohen duke specifikuar vetëm “mallra cilësore”, apo thjesht duke cilësuar që ofertuesit t’u përmbahen specifikimeve teknike të natyrës së objektit të kërkuar.  Autoritetet duhet të bëjnë të ditur për operatorët ekonomikë të dhënat teknike konkrete për objektin e prokurimit, pasi këto të dhëna janë të domosdoshme për përgatitjen e ofertave nga këta operatorë. Gjithashtu, me përcaktimin e këtyre të dhënave, autoritetet do të përfitojnë objektin e prokurimit me cilësinë e kërkuar.

2- Në procesverbalin c mbajtur për përllogaritjen e fondit limit, autoritetet duhet të pasqyrojnë mënyrën e përllogaritjes dhe treguesit e çmimeve që kanë marrë në konsideratë për përllogaritjen në fjalë, në bazë të nenit 28 të LPP dhe nenit 59 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 914, datë 29.12.2014 “Per miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar (në vijim “VKM”). Megjithëse në procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, në rastin e përllogaritjes së fondit limit nëpërmjet testimit të tregut, autoriteti nuk ka detyrim të administrojë ofertat e marra, duhet të evidentojë në procesverbal operatorët dhe çmimet e dhëna nga këta operatorë, gjatë testimit të tregut.  Gjithashtu, APP sjell në vëmendje se, në kuadër të përllogaritjes së fondit limit dhe për të qenë sa më afër çmimeve reale të tregut, autoritetet duhet të marrin më shumë se një çmim referues nga operatorët ekonomike.

3- Autoritetet kontraktore duhet të argumentojnë kriteret e veçanta për kualifikim., në përputhje me kërkesat e nenit 46 të LPP dhe 61 tc VKM. Autoritetet duhet të japin argumentim në mënyrë të hollësishme për çdo kriter të vlerësuar për objektin e prokurimit, në raport me natyrën dhe përmasat e këtij objekti.  Kriteret për kategori licence apo staf teknik, kryesisht në rastin e kontratave per pune publike, duhet të jenë në përputhje me punimet e parashikuara në preventiv.

Sa i takon kriterit të kualifikimit që operatorët të provojnë disponimin e eksperiencës së ngjashme me objektin e prokurimit, autoritetet duhet të përcaktojnë një vlerë minimale të lejuar për eksperiencën e realizuar nga operatorët ekonomikë.  APP sjell në vëmendje se, mos përcaktimi i një vlere minimale për eksperiencën e ngjashme të realizuar nga operatorët ekonomikë, i vendos ata në kushte të pabarabarta ofertimi. Gjithashtu, mos përcaktimi i qartë dhe i plotë i kriterit ndikon edhe ne procesin e vlerësimit të ofertave.  Në çdo rast, autoritetet nuk duhet të parashikojnë në kriter paraqitjen e eksperiencave të ngjashme të realizuar nga operatorët ekonomikë, vetëm me sektorin publik ose atë privat, por me të dy sektorët, sikurse parashikohet ne rregullat e prokurimit publik.

Gjithashtu, autoritetet kontraktore duhet të specifikojnë dokumentet konkrete qe duhet të paragesin ofertuesit, për përmbushjen e kërkesave të kualifikimit.

4- Autoritetet kontraktore duhet të mbajnë në konsideratë parashikimet e nenit 40 të VKM dhe Udhëzimin e APP Nr. 3, datë datë 08.01.2018 “Mbi përdorimin e procedurës së prokurimit me vlerë të vogel dhe zhvillimin e saj me mjete elektronike”, i ndryshuar, sa i takon afatit të paraqitjes pranë autoritetit kontraktor, të operatorit ekonomik të renditur në vend të pare, në procedurat e prokurimit me vlerë të vogël.  Përcaktimi i këtij afati në ftesën për ofertë është një kërkesë ligjore, si dhe një e dhënë shumë e rëndësishme për operatorët e interesuar ekonomike dhe për procesin e vlerësimit të ofertave.  Mungesa e një përcaktimi të tillë apo mospërcaktimi i qartë i këtij afati, sipas parashikimeve të mësipërme, sjell paqartësi tek operatorët ekonomikë dhe mund të krijojë situata abuzive për autoritetet kontraktore, gjate procesit të vlerësimit të ofertave.

5- Të gjithë punonjësit e autoriteteve kontraktore, të përfshirë në procesin e prokurimit duhet të plotësojnë formularët mbi deklarimin e konfliktit të interesit. APP sqaron se, edhe anëtarët e komisionit të prokurimit me vlerë të vogël, në momentin e emërimit në këtë cilësi, si dhe në momentin e hapjes së ofertave, nëpërmjet nënshkrimit të një deklarate, kanë detyrimin të deklarojnë mbi gjendjen e konfliktit të interesit me ofertuesit pjesëmarrës.

6- Vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedurën e prokurimit, duhet të behet në përputhje me nenet 53 dhe 55 të LPP. Në bazë të këtyre dispozitave, autoritetet kontraktore duhet të vlerësojnë një ofertë të vlefshme, vetëm nëse dokumentacioni i paraqitur nga operatorët ekonomikë, është në përputhje me të gjitha kriteret e kualifikimit. Edhe skualifikimi i operatorëve duhet të bëhet në përputhje me këto kritere.  Në procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, autoritetet duhet të respektojnë afatin e përcaktuar në ftesën për ofertë për dorëzimin e dokumentacionit të operatorit ekonomik të renditur në vend te parë. Gjithashtu, autoritetet duhet të dokumentojnë me procesverbal, hapat e kalimit nga operatori ekonomik i renditur i pari e kështu me radhë deri te operatori i shpallur fitues, duke evidentuar qartë arsyet e skualifikimit.

7- Autoritetet kontraktore duhet të verifikojnë dokumentacionin e paraqitur në forme të shkruar, nga operatori ekonomik fitues dhe të dokumentojnë këtë proces. Ky verifikim ka për qellim jo vetëm kontrollin e dokumentacionit të paraqitur nga operatori fitues përpara lidhjes së kontratës, por edhe kontrollin mbi formën (origjinal apo i noterizuar) e paraqitjes së këtij dokumentacioni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button