Ekonomia

Shoqata e Biznesit të Vogël: Do e çojmë në kushtetuese shtrirjen e pragut të TVSH-së

Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasta tha se vendosja e TVSh-së për biznesin e vogël nuk është e pranueshme nga ana e tyre dhe se po lobojnë fuqishëm si shoqatë që të mos aplikohet shtrirja e pragut të TVSH-së, si dhe do ta çojnë rastin në kushtetuese me mbështetjen e deputetëve.

Albert Nasta u kontaktua nga Monitor pas një takimi informues që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve zhvilloi me shoqatën e biznesit të vogël, ku ndër të tjera ishte informimi i tyre për shtrirjen e skemës së TVSH-së.

Albert Nasta tha se do të kërkojnë vendosjen e pragut për të përfshirë në skemën e TVSh-së prej 10 milionë lekë (ndërkohë që nga qeveria është propozuar ulja e pragut nga 5 milionë lekë që është sot në 2 milionë lekë).

Argumentet që do të çojë biznesi i vogël për të hedhur poshtë vendosjen e TVSH është kontributi i ulët që do të sjellë kjo taksë në buxhet.

Nasta shtoi më tej se ky ligj sipas tij po vendoset për të favorizuar segmente të caktuara të biznesit të madh.

“Kjo është e padrejtë, përderisa Europa dhe rajoni e aplikon pragun e xhiros për të përjashtuar nga TVSH biznesin e vogël, përse duhet që Shqipëria ta heqë?”-

Zoti Nasta tregoi se situata aktuale e biznesit të vogël nuk është aspak e favorshme dhe një rritje e taksash padyshim që do çonte në përgjysmim të tyre.

“Konsumi në biznesin e vogël ka rënë thuajse me 50%, energjia elektrike është më e lartë, karburanti është më i larti në rajon, klima e të bërit biznes është e rënduar, kështu që në një situatë të tillë qeveria duhet të shkonte për uljen e taksave.

Sipas kryetarit të shoqatës së biznesit të vogël, vendosja e TVSH-së edhe për biznesin e vogël, përpos se rrezikon të falimentoje pjesën më të madhe të subjekteve, gjithashtu do të rrisë informalitetin.

I pyetur edhe për aksionin antiinformalitet, zoti Nasta tha se aktualisht situata është disi e acaruar. “Gjatë diskutimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve biseduam edhe për kontrollet e shpeshta nga tatimorët, të cilat deri diku përkeqësojnë klimën e biznesit. Problem sipas tij përbëjnë kontrollet selektive, si dhe korrupsioni i segmenteve të caktuara. Megjithatë, krahasuar me aksionin e parë të 2015-s, situata ka qenë shumë më ndryshe”,-tha ai për Monitor.

Aktualisht pragu i përfshirjes në skemën e TVSH-së është 5 milionë lekë, ndërsa për 2018-n pragu është parashikuar që të ulet në 2 milionë lekë.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është shprehur hapur kundër uljes së pragut të TVSH-së tek bizneset e vogla. Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin kanë vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button