Shpenzimet e pagave të administratës në raport me PBB në nivelet më të ulëta që nga 1993
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave shpenzimet për pagat të administratës publike në raport me PBB-në shënuan dy vitet e fundit nivelin më të ulët që nga viti 1993.
Më 2019 shpenzimet për paga ishin 3.9 për qind e PBB-së, ndërsa gjatë vitit 2018 ishin 3.8% e PBB-së, nivelet më të ulëta historike pas vitit 1990 kur vendi u përfshi në ekonominë e tregut. Në mënyrë sistematike shpenzimet për pagat nga fillimi i tranzicionit deri në vitin 2008 ishin mbi 5 për qind të PBB-së.
Por më privatizimin e shumë ndërmarrjeve shtetërorë dhe reformat në administratën publike pesha e pagave të sektorit publik në totalin e shpenzimeve buxhetore erdhi më rënie. Pas vitit 2008 rënia u bë edhe me dukshme për shkak se, kriza ekonomike globale që preku edhe Shqipërinë në një fare mase i dha fund ritmeve të larta të rritjes së pagave për buxhetorët. Në 10 vitet e fundit pagat në sektorin buxhetor janë rritur për disa kategori të veçanta.
Gjithsesi në vlera neto shpenzimet për paga kanë pësuar rritje gjatë vitit 2019. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar gjithsej 65,6 miliardë lekë për të paguar aparatin e administratës publike, me një rritje 5.6% në raport me një vit më parë. Kjo rritje u nxit më së shumti nga pagat me të larta të institucioneve të reja të drejtësisë.
Sipas analizave të Bankës të Shqipërisë ecuria e pagave në sektorin publik ka diktuar edhe pagat në sektorin privat, të cilat gjithashtu janë rritur me ritme të ulëta.
Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë shënoi një rritje vjetore prej 3.7% në tremujorin e tretë të vitit 2019. Në terma realë, paga mesatare u rrit me 2.3%, kundrejt 3.1% një tremujor më parë. Ecuria më e ngadaltë e pagës mesatare ka reflektuar rritjen me ritme më të zbutura të pagës mesatare në sektorin privat, në 2.6% në terma nominalë ose 1.2% në terma realë. Ndërkohë, paga mesatare në sektorin publik vijoi të përshpejtojë ritmet e rritjes vjetore, në 5.6% në terma nominalë dhe 4.2% në terma realë. Shkak për këtë rritje ishte rritja e pagave për kategori të caktuara të sektorit publik. Paga minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi u rrit nga 24,000 lekë në 26,000 lekë në tremujorin e parë të vitit 2019, ose me 8.3% në terma vjetorë.