Shqipëri-Greqi, operacion të përbashkët policor për krimin ndërkufitar
Operacioni “Forca e Ligjit”, fokusohet në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe goditjen e grupeve kriminale, që trafikojnë lëndë narkotike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako zhvilloi një vizitë zyrtare në Greqi, ku u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Greke, Konstantinos Tsouvalas.
Në takim u ra dakord që mes dy palëve të ketë një bashkëpunim edhe më të theksuar në vijimësi.
Gjatë takimit u konfirmua bashkëpunimi i mirë ndërmjet autoriteteve policore të të dy vendeve dhe u evidentua përparimi konstruktiv që është arritur gjatë viteve të fundit, përmes takimeve të rregullta për luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.
Rëndësi e veçantë iu kushtua trajtimit dhe luftës kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
Drejtorët e Përgjithshëm ranë dakord gjithashtu për të ndjekur me prioritet format e ndryshme të krimit ndërkufitar (trafikim i lëndëve narkotike, vjedhje dhe grabitje pranë zonave kufitare, si dhe krimet kundër mjedisit etj).
Për këtë qëllim, Policitë e të dy vendeve do të organizojnë operacione të koordinuara, duke kryer patrullime të përbashkëta në zonat e vijës kufitare të dy vendeve, duke përcaktuar pika të kontaktit për shkëmbim të menjëhershëm të informacionit mbi krimin e organizuar dhe ndërkufitar, duke realizuar takime në nivel ekspertësh (teknikë) të të dy Policive të Shtetit për trajtimin e akteve kriminale në zonat afër pikave kufitare tokësore.
Gjatë kësaj vizite, Çako u prit në një takim edhe nga Ministri i Rendit Publik dhe Mbrojtjes së Qytetarit, Nikolaos Toskas, i cili konfirmoi edhe nga ana e tij bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston midis dy Policive si dhe ofroi mbështetjen e tij për thellimin e këtij bashkëpunimi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Çako, i shoqëruar nga homologu i tij Grek, Tsouvalas, zhvilloi një vizitë në Drejtorinë Policisë Shkencore në Athinë.
Gjatë kësaj vizite u diskutua për forcimin e bashkëpunimit midis kësaj Drejtorie dhe Institutit të Policisë Shkencore në Tiranë.
U konfirmua mbështetja e palës Greke në procesin e akreditimit të Institutit të Policisë Shkencore Shqiptare sipas standardeve ndërkombëtare ISO 17025 si dhe për shkëmbimin reciprok të eksperiencave.
Qëllimi i kësaj vizite ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në çështjet e rendit dhe sigurisë, si dhe nxitja e bashkëpunimit kundër krimit ndërkufitar, ku u ra dakord për organizimin e operacioneve të përbashkëta.