Shqipëri-Itali-Serbi, takimi i radhës më 20 janar në Tiranë
Më 20 janar në Tiranë do të zhvillohet takimi i dytë trepalësh Shqipëri-Itali-Serbi, me tre vendet që do të përfaqësohen nga ministrat e Jashtëm përkatës, Ditmir Bushati, Paolo Gentiloni dhe Ivica Daçiç.
Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Jashtme shqiptare, përmes një njoftimi për shtyp ku thuhet se, ky takim synon shkëmbimin e pikëpamjeve dhe diskutimin e një sërë çështjesh të rëndësishme si për të tre vendet, për rajonin dhe me gjerë.
“Ecuria e procesit të integrimit evropian dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal në frymën e procesit të Berlinit, duke pasur parasysh edhe Konferencat e Ballkanit Perëndimor në Paris 2016 dhe Romë 2017, do të jenë në fokus të këtij takimi të rëndësishëm, objektiv parësor i të cilit do të jetë përforcimi i urave të komunikimit konstruktiv mbi baza mirëkuptimi”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjatë takimit, ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë do të diskutojnë edhe për projekte të përbashkëta konkrete në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor, etj.
Takimi tripalësh do të paraprihet nga takime të veçanta të ministrit Bushati me homologët Gentiloni dhe Daçiç, vijon më tej njoftimi.