Shqipëri-Slloveni, shkëmbim përvojash për menaxhimin e zgjedhjeve
Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira midis Shqipërisë dhe Sllovenisë për menaxhimin e zgjedhjeve do të jetë në fokus të seminarit që do të organizohet të hënën, në Hotel Tirana International, ku do të analizohen modele të ndryshme të menaxhimit të zgjedhjeve.
Seminari me temë “Forcimi i pavarësisë së organeve të menaxhimit zgjedhor; shkëmbimi i përvojave dhe mësimet e nxjerra midis Shqipërisë dhe Sllovenisë”, organizohet nga Qendra për Perspektivë Evropiane (CEP), në kuadër të Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar të Republikës së Sllovenisë.
Seminari ka për qëllim të kontribuojë në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira midis Shqipërisë dhe Sllovenisë, do të analizohen modele të ndryshme të menaxhimit të zgjedhjeve, si dhe ndikimet e tyre mbi pavarësinë e organeve të menaxhimit zgjedhor
Pjesëmarrës në seminar do të jenë anëtarët dhe stafi administrativ i Komisioneve të Zgjedhjeve të Shqipërisë dhe Sllovenisë, ekspertë të zgjedhjeve dhe menaxhimit me përvojë në rajon dhe më gjerë, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që punojnë në fushën e zgjedhjeve dhe proceseve zgjedhore, anëtarët e Parlamentit, përfaqësues të partive politike si dhe ekspertë ligjorë.
Gjithashtu, i ftuar nderi në këtë aktivitet do të jetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili do të mbajë dhe një fjalim në orën 10:00.