“Shqipëria gati të kontribuojë edhe në sigurinë e Evropës”- Ministri Hoxha: Unioni duhet të jetë më i fortë dhe m�
Me ftesë të Ministres së Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger, Ministri Ferit Hoxha mori pjesë në Forumin Evropian Alpbach në Austri, ku iu bashkua panelit të diskutimit “Aftësia dhe Ripërtëritja: Mobilizimi i Fuqisë së Evropës për të Vepruar”.
Paneli u fokusua në mënyrat se si Evropa mund të forcojë aftësinë e saj, për të formësuar të ardhmen e saj në një botë që ndryshon me shpejtësi.
Gjatë diskutimit, Hoxha theksoi se për Shqipërinë si një vend i vendosur në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE, e tashmja dhe e ardhmja jonë janë thellësisht të ndërthurura me të ardhmen e vetë Evropës.
Për këtë arsye sipas tij, sfidat e Evropës janë sfidat tona dhe vendimet e marra sot do të ndihmojnë në formësimin e Evropës së cilës aspirojmë t’i bashkohemi nesër.
“Shqipëria nuk po përgatitet vetëm për t’u bashkuar me BE-në. Ne tashmë po kontribuojmë në sigurinë dhe stabilitetin e Evropës përmes përputhjes sonë të palëkundur me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke përfshirë miratimin e sanksioneve të BE-së dhe pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet e udhëhequra nga BE-ja; përmes rolit tonë aktiv brenda NATO-s; dhe përmes angazhimit tonë të vendosur ndaj vlerave, parimeve dhe përgjegjësive që mbështesin projektin Evropian. Ne jemi të gatshëm të marrim një rol edhe më të madh në adresimin e sfidave tona të përbashkëta”, tha Hoxha.
Ministri nënvizoi se ambicia jonë nuk është thjesht të jemi gati për Evropën, por të jemi të dobishëm për Evropën.
“Evropa të cilës kërkojmë t’i bashkohemi nuk duhet të jetë vetëm më e madhe. Duhet të jetë një Bashkim që është më i aftë të veprojë, më i shpejtë kur është e nevojshme, më i fortë kur sfidohet dhe më i bashkuar kur ka më shumë rëndësi. Kjo është arsyeja pse Shqipëria vlerëson të jetë pjesë e diskutimit evropian sot: sepse duam të ndihmojmë në formësimin e Evropës së nesërme”, deklaroi Ministri i Jashtëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.