“Shqipëria në një fazë të re të Forcave të Armatosura” Rama: 500 vende pune në kantierin e Pashalimanit, hapet Shkolla Kombëtare e Fluturimit
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të Forcave të Armatosura, ku përveç forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, një objektiv kryesor është edhe rilindja e industrisë ushtarake dhe zhvillimi i kapaciteteve të reja në aviacionin ushtarak.
Gjatë shënimeve të javës, Rama tha se qeveria ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë në këtë drejtim, ndërsa veçoi marrëveshjen e arritur këtë javë me kompaninë italiane Fincantieri, e cila është zgjeruar edhe me një partneritet me shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë.
“Kemi hyrë në një fazë të re të Forcave të Armatosura, ku kapitulli i ri nuk është vetëm fuqizimi i mbrojtjes, por edhe rilindja e industrisë ushtarake. Janë hedhur një sërë hapash konkretë. Këtë javë, partneriteti me Fincantierin u shtri edhe në një bashkëpunim me shkollën industriale ‘Pavarësia’ të Vlorës, pasi në kantierin e ri të Pashalimanit baza e re prodhuese do të kërkojë rreth 500 të rinj, teknikë, inxhinierë dhe specialistë të tjerë. Për këtë arsye është bërë kjo marrëveshje dhe paralelisht me nisjen e punimeve në kantier do të fillojë edhe përgatitja e të rinjve, të cilët do të trajnohen si në Pashaliman, ashtu edhe në brigjet e Italisë.”
Rama u ndal edhe te një tjetër zhvillim që e cilësoi historik për Forcat Ajrore shqiptare, hapjen e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, e cila do të shërbejë për trajnimin dhe certifikimin e pilotëve ushtarakë.
Sipas Ramës, shkolla do të mirëpresë jo vetëm kadetë shqiptarë, por edhe të rinj nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe nga vende të tjera aleate të NATO-s, duke e kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të formimit të pilotëve ushtarakë.
“Po të rinjtë kanë qenë protagonistë edhe të një momenti tjetër të rëndësishëm në rrugën e transformimit të Forcave tona të Armatosura: çeljes së dyerve të Shkollës Kombëtare të Fluturimit. Shqipëria kalon në një fazë të re me Forcat e veta Ajrore, duke u bërë një platformë trajnimi dhe certifikimi të pilotëve për Forcat e Armatosura. Kjo shkollë do të mirëpresë edhe kadetë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe më pas nga çdo vend tjetër aleat. Është një hap tejet i rëndësishëm, i realizuar në partneritet me kompaninë ‘Elbit Systems’ nga Izraeli dhe me kompaninë tonë shtetërore ‘KAYO’, e cila është kthyer në një epiqendër të zhvillimeve transformuese në industrinë tonë të mbrojtjes”, tha ai.
Rama theksoi se investimet në industrinë e mbrojtjes, krijimi i vendeve të reja të punës në Pashaliman dhe ngritja e Shkollës Kombëtare të Fluturimit janë pjesë e strategjisë për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e rolit të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.