Ekonomia

Shqipëria nën monitorim për pastrimin e parave deri dhjetor 2014

paraAutoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i ka kërkuar Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval), pranë Këshillit të Evropës, për t’u hequr nga procedura e raportimit të rregullt. Sipas buletinit të informacioneve të AMF nr. 76, Shqipëria kishte paraqitur kërkesë për t’u hequr nga procedura e raportimit të rregullt. “Sekretariati i Moneyval paraqiti konkluzionet kryesore dhe rekomandimet. Në to u theksua se progresi që ka bërë Shqipëria që prej nëntorit 2010, pas vizitës në vend të këtij Grupi Pune, dhe veprimet pozitive për të përmbushur mangësitë kryesore. Megjithatë, iu propozua seancës plenare që Shqipëria të kryejë raportim edhe në dhjetor 2014, duke e plotësuar me informacion shtesë”.
Takimi është zhvilluar në Strasburg më 15-19 shtator 2014 në sesionin e 45-të plenar për vlerësimin e masave të marra në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Sekretariati i Moneyval raportoi për situatën e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit në Evropë, raport që u mbajt nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Raporti analitik për progresin e Shqipërisë lidhur me rekomandimet e Grupit të Punës për Veprimtarinë Financiare (Financial Action Task Force, FAFT) u zhvillua në datë 17 shtator. Në raport thuhej: “Që nga vizita në vend, Shqipëria ka zbatuar legjislacion të ri, i cili ka rishikuar kuadrin ligjor në një sërë çështjesh. Ky kuadër ligjor është i ri dhe informacioni lidhur me efektivitetin nuk është bërë i mundur në disa aspekte. Në përgjithësi këto ndryshime në mënyrë të dukshme përmirësojnë zbatimin nga Shqipëria të kërkesave. Gjithsesi duke parë një numër boshllëqesh në informacionin për praktikat në terren, nuk është arritur akoma niveli i përputhshmërisë LC ( e përputhur tërësisht)”.
Më pas u kaluan me radhë raportet nga Bosnje-Hercegovina, Estonia, Gjeorgjia, Lituania, Qipro, Republika Çeke, Rusia, Sllovakia e San Marino. Në një nga seancat mori pjesë dhe Mbretëresha e Holandës, Maxima, në cilësinë e saj si avokate speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për shërbimet financiare të arritshme. Mbretëresha Maxima nënvizoi rolin që shtetet mund të luajnë në përmirësimin e aksesit në shërbimet financiare. Ajo theksoi se instrumentet ekzistuese ligjore lejojnë shtetet të sigurojnë që lufta kundër pastrimit të parave dhe zhvillimi i shërbimeve financiare për të gjithë shtresat e popullsisë, të plotësojnë njëri-tjetrin. Në sesionin plenar, u propozua edhe ngritja e një grupi pune për hartimin e ndryshimeve lidhur me rekomandimin Rec.(2005)10 për teknikat speciale të investigimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button