Arte

Shqipëria ofron mbështetje për të drejtat e pakicave kombëtare


Zyrtarisht në Shqipëri njihen me ligj nëntë pakica kombëtare, konkretisht greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.

Në vitet e fundit janë shtuar detyrimet ligjore dhe angazhimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave kombëtare në vend, përfshirë edhe nismat për programet televizive të transmetuara në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), që është transmetuesi publik, i cili ka tashmë një kanal të dedikuar që do të ketë në vëmendje kategoritë ku përfshihet respektimi dhe mbrojtja e të gjitha lirive dhe të drejtave të njeriut.

Zyrtarisht në Shqipëri njihen me ligj nëntë pakica kombëtare, konkretisht greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.

Radio Televizioni Shqiptar nëpërmjet kanalit RTSH2 ofron mbështetje për pakicat me programe edukimi dhe informimi të dedikuara tërësisht për minoritetet etnike dhe kulturore në Shqipëri, si dhe për të gjitha grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Në këtë kanal që prej rreth dy vitesh ka nisur transmetimi i lajmeve në disa gjuhë të minoriteteve, përkatësisht në gjuhën maqedonase, greke, serbe, arumune dhe rome, ndërsa në ditët e fundit edhe në gjuhën bullgare. Më 28 janar të këtij viti filluan zyrtarisht transmetimet e lajmeve edhe në bullgarisht, ndërsa lajmet në gjuhën boshnjake pritet të fillojnë së shpejti.

– “Hapësirë televizive në shërbim të minoriteteve”

Yllka Gjikopulli, kryeredaktorja e RTSH2, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tregon se kjo është një risi e RTSH-së, pasi minoritetet nuk kanë patur rëndësinë e duhur në media ndër vite dhe thekson se kjo vëmendje është rikthyer edhe nga ana e institucioneve të shtetit shqiptar, duke krijuar një legjislacion të ri.

“RTSH 2 HD do të jetë i pranishëm në zonat ku janë të përqendruar minoritetet në Shqipëri si dhe në të gjithë territorin e Shqipërisë duke sjell për publikun pasqyrimin e eventeve dhe ngjarjeve me karakter kombëtar. Krijimi i emisioneve, reportazheve, dokumentareve si dhe edicionet informative synojnë të mbajnë gjallë traditën dhe kulturën e minoriteteve si dhe ruajtjen e identitetit kombëtar që gjithsecili përfaqëson”, shprehet Gjikopulli.

Ajo thekson se pakicat nuk do të përfaqësohen vetëm me edicionet informative në kanalin e RTSH2, pasi synojnë ta kthejnë këtë hapësirë televizive në shërbim të minoriteteve, sipas saj, që ata të kenë në dispozicion jo vetëm transmetimin e lajmeve në gjuhët e tyre, por edhe krijimin e emisioneve posaçërisht për minoritetet.

“Synojmë krijimin e një redaksie që do u përkasë vetëm gazetarëve të minoriteteve në RTSH të cilët pas një trajnimi me gazetarë të mirënjohur në mediat shqiptare, do të kenë mundësinë të jenë ata krijuesit e lajmeve, kronikave dhe reportazheve për minoritetin që ata përfaqësojnë. Kush më mirë se sa ata mund të sillte dhe mbante gjallë identitetin kombëtar të tyre”, shprehet për AA Gjikopulli.

Edicionet e lajmeve për minoritetet transmetohen nga e hëna në të premten, sipas një orari të caktuar, ndërsa transmetohen edhe dokumentarë të ndryshëm për kulturën dhe traditat e pjesëtarëve të pakicave kombëtare në Shqipëri, emisione për fëmijë dhe programe të tjera. Pjesëtarët e minoriteteve të angazhuar në programet televizive, mbështeten dhe trajnohen nga punonjësit e Radio Televizionit Shqiptar. 

Me ndarjen e re administrative, për minoritetin maqedonas u krijua Bashkia e Pustecit, në Qarkun e Korçës, ndërsa tashmë kjo pakicë gëzon edhe të drejta të tjera, si transmetimin e edicioneve informative dhe programeve të tjera, përfshirë dokumentarë në Radio Televizionin Shqiptar, ku pjesëtarë të këtij komuniteti kontribuojnë për edicionet informative që përmbajnë lajme për zhvillimet brenda dhe jashtë vendit.

Pjesëtarët e pakicës greke jetojnë kryesisht në jug të vendit, në Bashkinë Dropull dhe Bashkinë Finiq, por edhe në bashki të tjera, ndërsa pjesëtarët e pakicave të tjera jetojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Në tetor të vitit 2017 Kuvendi i Shqipërisë, miratoi ligjin “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka si qëllim të sigurojë ushtrimin e të drejtave specifike të personave që u përkasin një pakice kombëtare, të cilat janë të nevojshme për mbrojtjen e identitetit dallues të tyre dhe që të garantojnë mosdiskriminimin.

Sipas këtij ligji, personat, që u përkasin pakicave kombëtare, kanë të drejtë të përdorin shërbimet e mediave audio dhe audiovizive, pa diskriminim dhe se radioja dhe televizioni publik qendror transmeton në njërin prej stacioneve të tij programe informative dhe kulturore në gjuhën e pakicave kombëtare.

Nga censi i fundit për popullsinë realizuar në vitin 2011 nga Instituti i Statistikave i Republikës së Shqipërisë (INSTAT), ku më 1 tetor 2011 popullsia banuese e Shqipërisë ishte 2 821 977 banorë, rezulton se 82,58 për qind janë shqiptarë, ndërsa 0,87 për qind kanë deklaruar përkatësinë e tyre etnike si pjesëtarë të minoritetit grek, 0,20 për qind të minoritetit maqedonas, 0,01 për qind malazezë, 0,30 për qind të pakicës arumune, 0,30 për qind të pakicës rome, 0,12 për qind egjiptiane, 0,09 për qind përkatësi tjetër, ndërsa 13,96 për qind nuk janë përgjigjur për përkatësinë e tyre etnike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button