Shqipëria raporton në PE, në fokus rezultatet e luftës kundër informalitetit
Zëvendësministrja e Jashtme, Odeta Barbullushi raportoi në takimin përgatitor për komitetin e 9-të të stabilizim-asociimit mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë, që do të mbahet më 9 dhe 10 nëntor në Bruksel.
Odeta Barbullushi, zv.ministre e Jashtme: “Disa prej aspekteve që unë prek gjatë prezantimit tim kanë lidhje me luftën kundër informalitetit dhe impaktin ekonomik që ai ka, sfidat dhe zhvillimet më të fundit ekonomike, planin e qeverisë shqipëtare në lidhje me forcimin e sektorit energjetik, kryesisht për kapacitetet, e po ashtu lidhur me dialogun politik është dhe reforma në drejtësi, një prej reformave më gjithëpërfshirëse dhe sfiduese për vendin tonë dhe me kënaqësi do të raportoj se ka një afrim të të dy palëve, si mazhorancës dhe opozitës, jo vetëm sa i takon domosdoshmërisë së kësaj reforme, por dhe të pozicioneve të tyre.”
Megjithëse sekretariati i PE kishte prenotuar për plot një orë sallën e Strasburgut, për shkak të vonesave në seancën plenare mbi votimin e buxhetit, takimi nisi me 40 minuta vonesë dhe nuk zgjati as 20 minuta.
Megjithë dëshirën e mirë të 3 eurodeputetëve pjesëmarrës, mbledhja përgatitore u mbajt pa praninë e medias, siç imponoi kryetarja e delegacionit, Monica Macovei, edhe vitin e kaluar. Mësohet se në këtë takim, raportuesi gjerman Fleckenstein ka dhënë përshtypje pozitive pas vizitës së fundit në Shqipëri, ndërsa zëvendës-shefi i Njësisë, Georg Ziegler, ka përsëritur qëndrimin e Komisionit Europian se vendi po ecën mirë në përgjithësi me zbatimin e reformave për prioritetet kyçe, duke theksuar rëndësinë e përmbylljes së reformës në drejtësi.
Burime konfidenciale rrëfyen për Top Channel se gjatë mbledhjes, drejtuesja Macovei ka kërkuar të dhëna të plota nga Shqipëria për rastet e deputetëve që përballen me drejtësinë, krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivel të lartë. Përveç këtyre çështjeve, agjenda e 9 Nëntorit merr në konsideratë dhe amendimet për rregullat e proçedurës së Komitetit ndërparlamentar të Stabilizim Asocimit, siç propozoi 6 muaj më parë kryetarja Macovei, menjëherë pas takimit të mbajtur në Shqipëri.
Sekretariati i Komitetit pritet të fresojë programin e mbledhjes së Nëntorit, i cili parashikon aktualisht që Komisioni Europian të përfaqësohet me drejtorin për Ballkanin, Jean-Eric Paquet, i sapoemëruar zëvendës- Sekretar i Përgjithshëm i KEsë (nga 1 Nëntori) në mbledhjen efundit të Kolegjit.