Shqipëria zgjerohet në hartën ajrore të Evropës, hapet linja e parë direkte Luksemburg–Tiranë
-Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregun ndërkombëtar të turizmit, falë bregdetit të Adriatikut dhe Jonit, peizazheve natyrore dhe trashëgimisë së pasur historike e kulturore, shkruan “Le Quotidien” gazeta ditore e Luksemburgut.
Nga plazhet e jugut te qytetet historike dhe Alpet në veri, vendi ofron një larmi përvojash turistike, që po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë nga tregjet evropiane.
“Luxair” nis lidhjen e parë direkte me Shqipërinë
“Luxair”, kompania ajrore kombëtare e Luksemburgut, që operon fluturime nga Luksemburgu drejt destinacioneve në Evropë dhe më gjerë, do të hapë në mars 2027 një linjë të re direkte dhe gjatë gjithë vitit mes Luksemburgut dhe Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, me dy fluturime në javë.
Kompania ajrore njoftoi se, nga 29 marsi i vitit 2027, do të nisë një lidhje të re direkte mes Luksemburgut dhe Tiranës, kryeqytetit shqiptar.
Fluturimet do të kryhen dy herë në javë, të hënave dhe të premteve, gjatë gjithë vitit.
Kjo do të jetë lidhja e parë ajrore direkte mes Luksemburgut dhe Tiranës.
Linja e re synon, ndër të tjera, t’i përgjigjet kërkesës së komunitetit të madh shqiptar që jeton në Luksemburg dhe në rajonin e gjerë përreth tij.
Ajo do të lehtësojë udhëtimet për vizita te familjarët dhe të afërmit, por synon gjithashtu edhe turistët që e zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik.
Sipas “Luxair”, Tirana ishte ndër tregjet me potencialin më të madh për nisje nga Luksemburgu, bazuar në një studim të kryer nga kompania në vitin 2026.
Kompania vë në dukje gjithashtu, rritjen e turizmit ndërkombëtar në Shqipëri dhe zhvillimin e shpejtë të Aeroportit të Tiranës.
Nga kryeqyteti shqiptar, turistët mund të kenë akses në bregdetin shqiptar, në disa site të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe në destinacione të tjera të Ballkanit Jugor.
“Lançimi i linjës së Tiranës shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e rrjetit të “Luxair”, tha Thomas Fischer, Drejtor i Përgjithshëm Tregtar i kompanisë.
Ai theksoi se kjo lidhje i përgjigjet njëkohësisht interesit në rritje për Shqipërinë si destinacion pushimesh dhe kërkesës së lartë nga komuniteti shqiptar në Luksemburg dhe në rajonin e gjerë.
Çmimet nisin nga 129 euro për tarifën “Light Fare”, e cila përfshin një bagazh dore në kabinë, ndërsa tarifa “Smart Fare”, nga 169 euro, përfshin ndër të tjera një bagazh që regjistrohet në avion dhe mundësinë për të ndryshuar rezervimin. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.