🌤️
Tiranë 32°C · Kryesisht kthjellët 26 June 2026
S&P 500 7,367 ▲0.13%
DOW
NASDAQ 25,349 ▼0.04%
NAFTA 69.02 ▼4.03%
ARI 4,106 ▲1.45%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1362 EUR/GBP 0.8617 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.3641 EUR/MKD 61.6930 EUR/RSD 117.3967 EUR/TRY 52.9539 EUR/JPY 183.85 EUR/CAD 1.6147 EUR/USD 1.1362 EUR/GBP 0.8617 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.3641 EUR/MKD 61.6930 EUR/RSD 117.3967 EUR/TRY 52.9539 EUR/JPY 183.85 EUR/CAD 1.6147
₿ CRYPTO
BTC $60,156 ▲ +0.63% ETH $1,579 ▲ +0% XRP $1.0460 ▲ +0.46% SOL $72.4300 ▲ +8.59%
S&P 500 7,367 ▲0.13 % DOW NASDAQ 25,349 ▼0.04 % NAFTA 69.02 ▼4.03 % ARI 4,106 ▲1.45 % S&P 500 7,367 ▲0.13 % DOW NASDAQ 25,349 ▼0.04 % NAFTA 69.02 ▼4.03 % ARI 4,106 ▲1.45 %
EUR/USD 1.1362 EUR/GBP 0.8617 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.3641 EUR/MKD 61.6930 EUR/RSD 117.3967 EUR/TRY 52.9539 EUR/JPY 183.85 EUR/CAD 1.6147 EUR/USD 1.1362 EUR/GBP 0.8617 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.3641 EUR/MKD 61.6930 EUR/RSD 117.3967 EUR/TRY 52.9539 EUR/JPY 183.85 EUR/CAD 1.6147
26 Jun 2026
Breaking
Opinion

Shqiptarët e mirë dhe shqiptarët e këqij

Nga THOMA GËLLÇI

Ka diçka që ka ndryshuar rrënjësisht në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës gjatë dy dekadave të fundit. Kufiri administrativ ka mbetur aty ku ka qenë, por kufiri psikologjik është zbehur dita-ditës. Sot qarkullojnë lirshëm njerëzit, idetë, lajmet, studentët, artistët, biznesmenët dhe sportistët. Shqiptarët në të dy anët e kufirit nuk ndihen më si fqinj, por si pjesëtarë të të njëjtit komb, të ndarë vetëm nga një vijë administrative. Ky afrim nuk është produkt i ndonjë politike shtetërore. Ai është një proces natyror, i lindur nga historia, gjuha dhe vetëdija kombëtare.

Në qeveritë e Tiranës kanë shërbyer ministra nga Kosova. Shqipëria ka pasur një ministre të Arsimit nga Kosova, një ministër të Jashtëm, këshilltarë të shumtë në institucione, drejtorë në institucionet e shtetit shqiptar. Sot drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit i është besuar një qytetareje nga Kosova.

Askush nuk e ka parë këtë si problem. Përkundrazi, është konsideruar një pasuri.

Kombëtarja shqiptare e futbollit është ndërtuar mbi këtë frymë. Një pjesë e madhe e futbollistëve më të mirë kanë lindur në Kosovë, por zgjedhin të mbrojnë fanellën kuqezi. Askush nuk pyet nëse kanë lindur në Prishtinë, Gjilan apo Tiranë. Kur shënojnë gola për Shqipërinë, të gjithë ngrihen në këmbë.

Në ekranet televizive të Tiranës janë bërë prej kohësh pjesë e kësaj hapësire të përbashkët shqiptare. Analistë nga Kosova komentojnë çdo ditë zhvillimet politike në Shqipëri. Emra si Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Albatros Rexhaj dhe të tjerë janë bërë pjesë e debatit publik shqiptar. Mbrojnë qeverinë dhe kritikojnë protestuesit. Askush nuk u thotë: “Çfarë pune keni ju me politikën tonë?”

Por papritur gjithçka ndryshon. Mjafton që disa qytetarë nga Kosova të vijnë në Tiranë për të marrë pjesë në protestat e rinisë shqiptare dhe e njëjta propagandë, që deri dje fliste për “kombin pa kufij”, fillon të pyesë: “Çfarë kërkojnë kosovarët në protestat tona?” Këta janë “falangat e Albin Kurtit”, “të infiltruar nga agjenturat greko-serbe-iraniane”, “ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë” etj. Bile, analisti i gjyshes veneciane shkon edhe më tej, duke thënë se “sa herë që kosovarët vijnë brenda kufirit shqiptar, gjëmat e mëdha ndodhin në Shqipëri”.

Pra, kemi vendosur një standard shumë interesant: kosovari është i mirë kur punon për shtetin. Është i mirë kur bëhet ministër. Është i mirë kur drejton institucione. Është i mirë kur bën gola dhe bën shqiponjën me duar. Është i mirë kur mbron politikat e qeverisë Rama në televizione.

Por bëhet problem në momentin që shfaqet në një protestë.

Dhe kështu krijojmë dy kategori shqiptarësh: shqiptarët e mirë janë ata që janë në krah të pushtetit. Shqiptarët e këqij janë ata që e kundërshtojnë atë.

Kjo logjikë tingëllon çuditërisht e njohur.

Për dekada me radhë, regjimi jugosllav në Kosovë përdorte pikërisht këtë ndarje. Nuk kishte problem me shqiptarët si komb. Kishte problem me shqiptarët që nuk bindeshin.

Njërën kategori e quante “qytetarë të ndershëm”, ata që punonin në administratë dhe pranonin sistemin. Kategorinë tjetër e etiketonte si “irredentistë”, “nacionalistë”, “ballistë”, “armiq të Jugosllavisë”.

Sot, natyrisht, rrethanat historike janë krejt të tjera. Shqipëria është një shtet demokratik dhe askush nuk mund të barazojë dy regjime të ndryshme. Por mekanizmi propagandistik mbetet befasueshëm i ngjashëm: qytetari nuk gjykohet për atë që bën, por për faktin nëse është me pushtetin apo kundër tij.

Mua pjesëmarrja e shqiptarëve të Shqipërisë në protesta në Prishtinë apo në Shkup më duket një gjë shumë e mirë, ashtu si më duket e mirë edhe pjesëmarrja e shqiptarëve të Kosovës apo shqiptarëve të Maqedonisë në protestat e Tiranës. Siç më është dukur shumë e mirë kur mijëra shqiptarë, edhe pa dokumente, kanë marrë pjesë në protesta të ndryshme politike në Athinë, kur ato kanë qenë për një kauzë që u shërbente atyre. Siç edhe kam lexuar, shumë shqiptarë kanë shkuar në protestat që bëhen në Prishtinë për lirimin nga burgu të udhëheqësve të UÇK-së, që mbahen padrejtësisht të burgosur në Hagë. Siç edhe kam lexuar, dhjetëra shqiptarë të Shqipërisë kanë shkuar të protestojnë bashkë me studentët e Tetovës dhe Gostivarit në rrugët e Shkupit për të drejtat e tyre për të mësuar në gjuhën shqipe.

Përse pushteti i Shqipërisë u shqetësua aq shumë, meqenëse disa qytetarë të Kosovës erdhën dhe protestuan në Tiranë? Sa herë që një pushtet përpiqet t’i ndajë shqiptarët në “të mirë” dhe “të këqij”, zakonisht nuk është kombi ai që ka problem. Është vetë pushteti. Pra, edhe këtu hapja e këtij debati nuk është gjë tjetër veçse shmangie nga tema. Është e njëjta strategji që përdoret për të shmangur vëmendjen nga problemet dhe kërkesat kryesore të protestës. Me ato duhet të përballet pushteti në Shqipëri dhe qeveria shqiptare në veçanti, duke lënë mënjanë fabrikimin e liderëve, të armiqve dhe spiunëve dhe, aq më keq, hapjen dhe fryrjen e debateve që çojnë në dallime krahinore e përçarje kombëtare të shqiptarëve.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.