Kosova

Shqiptari i ISIS-it nga Maqedonia po fshihet në regjionin e Ferizajt

Një nga të dyshuarit e grupit prej shtatë personash, që po organizonin terrorizëm në favor të ISIS-it, shtetas të Maqedonisë, po fshihet në Kosovë. Autoritet kosovare e kanë informacionin se ai ndodhet në regjionin e Ferizajt

Shqiptari nga Maqedonia, Burhan Seferi, që dyshohet nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup si terrorist i lidhur me Shtetin Islamik (ISIS), po fshihet në Kosovë, kanë bërë me dije për Express burime nga organet e sigurisë.

Sipas këtyre burimeve të gazetës, Seferi është duke u strehuar në regjionin e Ferizajt.

Express merr vesh se Burhan Seferi ditët e para pasi që iu shmang arrestimit në Maqedoni ka qëndruar në qytetin e Kaçanikut, prej nga janë një pjesë e mirë e njerëzve të ISIS’it nga Kosova, përfshirë edhe terroristin Lavdrim Muhaxheri, i kërkuar edhe nga Interpol.

Express ka pritur për më shumë se një javë nga Polica e Kosovës, por ky institucion ka refuzuar që të komentojë për rastin e Burhan Seferit.

Pasi që i njëjti ka vërejtur se është nën përcjellje të autoriteteve kosovare, Express merr vesh se Seferi është zhvendosur në qytete të tjera të regjionit të Ferizajt, ku edhe ka të afërm nga rrethi i largët i familjes.

Prokuroria Themelore Publike në Shkup, në fillim te këtij muaji ka dhënë urdhër për zbatimin e hetimit për shtatë persona, përfaqësues të ISIS-it në Maqedoni. Të dyshuarve iu ngarkohet vepra penale organizim terrorist.

Prokurori publik duke vlerësuar se janë plotësuar bazat ligjore deri te gjykatësi në procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Shkupi kishte propozuar që të dyshuarve t`i përcaktohet masa e paraburgimit.

Gjatë aksionit u kryen shtatë kontrolle prej të cilave 6 në Shkup dhe 1 në Tetovë. Gjatë kontrollit Policia e Maqedonisë arriti që të fusë në pranga Bunjamin Gashin, Faruk Izeirin e Ergin Useini nga Shkupi si dhe Mustafa Memeti nga Tetova.

Tre persona arritën që t’i shmangen arrestimit, dhe sipas mediave lokale në Maqedoni dy nga ta, Sefet Ramadani nga Shkupi dhe Sulejman Idrizi nga Kumanova dyshohet se gjenden në Siri, ndërsa për personin Burhan Seferi nga fshati Haraçinë ekzistonte më 9 korrik 2016 njohuri operative se gjendej në territorin e qytetit të Shkupit, por me pas ishte zhdukur nga ‘radarët’ e autoriteteve maqedonase.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button