Kosova

Shqiptari propagandist i ISIS-it me lidhje të ngushta në Zvicër

Shqiptari me origjinë nga Maqedonia, Orhan R., njëri nga terroristët e organizatës së ashtuquajtur “Shteti Islamik”, i cili së fundi ka kërcënuar myslimanët në Ballkan, ka qëndruar në Zvicër, shkruan gazeta “SonntagsZeitung”.

Në fillim të këtij muaji qendra propagandistike e “Shtetit Islamik” e quajtur “al-Hayat Media” publikoi një video, në të cilën kërcënonte myslimanët në Ballkan dhe bënte thirrje për vrasjen e tyre. Hulumtimet e gazetës zvicerane “SonntasgZeitung” tregojnë se njëri nga xhihadistët që shihet në video së fundi ka qëndruar në Zvicër.

Në tetor të vitit të kaluar Orhan R., 24-vjeçar, ka publikuar në Facebook fotografi ku shihet me një shok të tijin duke u shëtitur në qendër të Gjenevës. Në fillim të qershorit ai ka postuar një fotografi tjetër – me sandale, uniformë ushtarake, mjekër të gjatë, armë në sup. Orhan R. tani gjendet në Siri, madje në Raka, në kryeqytetin e terroristëve të ISIS-it.

Në Facebook Orhan R. si vendbanim të fundit përmend lokalitetin Dübendorf afër Zürichut. Fotografi të tjera tregojnë se ai ka mbajtur kontakte me myslimanë në Zvicër dhe ka qëndruar në Gjenevë dhe në Bulle në kantonin e Fribourgut.

Në Siri Orhan R. me gjasë është i afërt me propagandistë dhe terroristë të nivelit të lartë të ISIS-it. Njëri prej tyre, sipas gazetës zvicerane, është Bajro Ikanoviq, një mysliman nga Bosnja, i cili atje ka qenë në burg për shkak të delikteve terroriste. Pas ikjes në Siri ai ka menaxhuar në Azaz, në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë, një shtëpi ku kanë qenë të vendosur disa xhihadistë nga Ballkani. Ikanoviq përshkruhet si njëri prej rekrutuesve kryesorë të ISIS-it.

Një tjetër propagandist dhe bashkëluftëtar i Orhan R. është Ridvan Haqifi, i cili bart emrin luftarak Abu-Muqatil al-Kosovi. Edhe ky konsiderohet si njëri prej xhihadistëve prominentë të Ballkanit.

Orhan R. është shqiptar me origjinë nga Maqedonia. Ai i ka thënë gazetës “SonntagsZeitung” se dëshiron të kthehet në Zvicër, herën tjetër bashkë me ushtrinë e “Shtetit Islamik”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button