Halimi: Amendamentet e ‘dekriminalizimit’, atentat ndaj reformës në drejtësi
Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi miratoi pa debate disa nene që lidhen me detyrimet e Shqipërisë pas anëtarësimit në BE, ndërsa pati përplasje për nenin 6/1 të paketës që ka të bëjë me ndryshimin e amendamenteve në ligjin e ‘dekriminalizimit’.
Sipas nënkryetarit të komisionit, Eduard Halimi, ndryshimi i këtij neni, i propozuar nga ekspertët e OPDAT-t ishte i papranueshëm për opozitën, ndaj më pas ai u tërhoq prej tyre. Futja e këtij neni në axhendën e komisionit, tha ai, ishte një atentat që kërkohej t’i bëhej reformës në drejtësi.
Komisioni, i mbledhur paraditen e sotme pa praninë e mediave, nisi sot diskutimin nen për nen të paketës së rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, propozuar nga ekspertet e OPDAT dhe EURALIUS. Në përfundim të mbledhjes, nënkryetari i komisionit, Eduard Halimi tha se pjesa më e madhe e neneve të shqyrtuara kishin të bënin me detyrimet e Shqipërisë, pas anëtarësimit në BE.
“Pjesa më e madhe e këtyre neneve kishte të bënte me detyrimet që ka Shqipëria pas anëtarësimit në BE dhe nuk kanë lidhje me reformën në drejtësi. Ekspertët sqaruan të gjithë anëtarët e komisionit se këto nene janë aplikuar edhe në vende të tjera, para se ato të merrnin statusin e kandidatit. Me pas nenet kaluan me disa redaktime të thjeshta”, bëri të ditur Halimi. Ndërkohë, që sipas tij pati debate të forta pati per ndryshimin e nenit 6/1, që ka të bëjë me ndryshimin e amendamenteve për dekriminalizimin.
“Qëndrimi i padiskutueshëm dhe i qartë i opozitës ishte se reforma në drejtësi dhe detyra që ka komisioni i posaçëm është që të largojë dhe të dënojë ata persona që kanë kryer krime të tmerrshme dhe që kanë qenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Futja e këtij neni në axhendën e komisionit ishte ‘një atentat’ që kërkohej t’i bëhej reformës në drejtësi. Pati debate, dhe neni u votua, ku maxhoranca përdori edhe ‘double vote’, me qëllimin që personat që kanë kryer krime të rënda si trafiku i qenieve njerëzore, i prostitucionit apo armëve të mos kishin ‘ndalim përjetë’, por me një kohëzgjatje të caktuar”, sqaroi Halimi.
Ky, sipas Halimit, ishte një qëndrim i papranueshëm për opozitën, ndaj më pas ky nen u tërhoq nga ekspertët e OPDAT. “Neni i propozuar e bënte nul nenin e miratuar pak muaj më parë dhe që parashikonte ndalimin përjetë të personave që kishin kryer krimet e mësipërme. Ky nen u tërhoq nga ekspertët, pra nuk ekziston më.Por, edhe nëse sillet në ndonjë formë tjetër qëndrimi i opozitës është i qartë. Kush nuk është dakord me ligjin t’i drejtohet Kushtetueses. Ligji i dekriminalizimit dhe paketa ligjore në funksion të tij, nuk preket”, theksoi Halimi