Shtypi gjerman: Fitorja e Edi Ramës, shans për Ballkanin
Artisti me dorë të mirë edhe në politikë – Fitorja sipas të gjitha gjasave e Edi Ramës në zgjedhjet e 25 qershorit trajtohet të martën gjerësisht në shtypin gjermanofon.
Nën titullin “Artisti me dorë të mirë edhe për politikën” – gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”vëren se tendenca që ka Rama të thyejë tabu mund t’i japë impulse të reja Ballkanit. Edi Rama, i jep rëndësi faktit, që të perceptohet si jo-konformist, vëren NZZ, “dhe ky nuk është gjest mashtrimi. Sepse Rama nuk është vetëm politikan i suksesshëm, por edhe artist…kur vjen puna tek politika, Rama është zanatçi. Ai bën koalicione, largon kundërshtarët nga partia, dhe e lustron imazhin e tij publik. Rama ka karizëm si orator, sharmi dhe batutat e tij bëjnë të mundur të durohet egoja e madhe e tij.”
Gazeta zvicerane i kushton vëmendje edhe politikës së Ramës në rajon. “Rama dhe Vuçiç konkurrojnë për vëmendjen e kancelares gjermane, Angela Merkel…pasi Vuçiç ka marrë shumë mbështetje nga Berlini për reformat ekonomike dhe politikën paqësore, Rama u ndje me sa duket i anashkaluar. Në prill ai u ankua për dezinteresimin e Brukselit ndaj Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëroi, se herët a vonë kjo mund të çojë në përplasje të rrezikshme. Por qe se këto vende nuk pranohen në BE, atëherë nuk përjashtohen “Unionet e vogla”, filluar me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Siç pritej deklarata shkaktoi indinjatë në Beograd.”
Sipas NZZ, “dinamika mes Ramës dhe Vuçiç mund të shfrytëzohet edhe në mënyrë konstruktive… Një marrëdhënie e mirë mes Tiranës dhe Beogradit mund të ndihmojë që të rifillojnë bisedimet e ngecura me Serbisë dhe Kosovës. Fitorja e Ramës në këtë kuptim nuk është një shans vetëm për Shqipërinë.”
Ndërsa “Berliner Zeitung” nën titullin “Një piktor fiton zgjedhjet në Shqipëri” thekson, se “jo vetëm Shqipëria e izoluar kaq gjatë është ekzotike për europianët, por edhe Edi Rama, kryeministri i vjetër dhe i ri, mund të quhet ekstravagant, ndoshta edhe ekscentrik”. Pas nënvizimit të karrierës së Ramës jo vetëm si basketbollist, por edhe si kryebashkiak i Tiranës, “Berliner Zeitung” nënvizon se “Rama duhet të tregojë tani se mund t’i çojë 2,9 milionë banorët e shtetit shqiptar drejt një mirëqenie më të mirë dhe drejtësie sociale.”
“Frankurter Allgemeine Zeitung” e vë theksin tek numri i ulët i pjesëmarrjes në votime dhe tek shkeljet që janë konstatuar nga OSBE/ODHIR…”Ka pasur rastet e njohura të blerjes së votave apo kërcënimeve. Ka pasur raportime për sulme të aktivistëve socialistë ndaj përkrahësve të Ilir Metës, presidentit shqiptar dhe ish-kreut të LSI-së…Rama ia doli t’ia hiqte LSI-së rolin e “mbretëvënësit” -(kingmaker)pas koalicioneve të saj qeverisëse njëherë me demokratët dhe më pas me socialistët.”
Edhe “Süddeutsche Zeitung” i kushton vëmendje zhvillimeve në Shqipëri. Socialistët nën kryeministrin Rama i fituan zgjedhjet parlamentare të së dielës, por “Süddeutsche Zeitung” vëren, se “27 vite pas rrëzimit të komunizmit stalinist, qytetarët ishin dukshëm të zhgënjyer nga partitë në shtetin ballkanik.” Ndërsa gazeta “tageszeitung” nënvizon, se “që kryeministri Edi Rama me partinë socialiste do të fitonte zgjedhjet parlamentare, kjo ishte parashikuar në javët e shkuara. Por që ai do të fitonte shumicën absolute, kjo është surprizuese.”