Kronika

Shullazi përplas institucionet; prokuroria la policinë ‘në errësirë’

Rasti i Emiljano Shullazit tregoi edhe njëherë se prokuroria dhe policia e kanë të krisur urën e bashkëpunimit mes tyre, apo në rastin më të keq, nuk i besojnë më njëra-tjetrës.
Pa dijeninë e prokurorisë, shoqërimi i Emiljano Shullazit nga forcat operacionale në prag të shtëpisë së tij, u krye të shtunën që kaloi së pari për dyshimet e kanosjes së kandidatit për Rektor Mynyr Koni.
Por ndërsa Policia e Tiranës shoqëroi menjëherë sapo u paraqit në drejtori edhe shokun e tij, Gilmando Dani, katër orë më vonë Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi një urdhër-ndalimi jo vetëm për ta, por edhe për Blerim Shullazin. Duke se për kapjen e Shullazit organi i akuzës shfytëzoi efektin surprizë, por në fakt për çështjen për të cilën ai u ndalua, është policia ajo që ka informuar e para prokurorine.
Kjo të paktën tregohet nga dokumentat që Top Channel zotëron, ku policia ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda tre muaj më parë, pra që në fillim të muajit shkurt, emrin e Shullazit si të dyshuar për gjobëvënie.
Policia thotë në këto dokumenta se ka pyetur edhe familjen e shtetasit Fatmir Sinanaj, ndërtuesi që ka kryer shitjen e parkingut tek familja Zaka. Policia thotë se pas veprimeve hetimore të kryera edhe me mjetet speciale të hetimit, si edhe administrimin e pyetjeve të shtetasve Jani dhe Arjan Zaka dhe të afërmve të tyre, ata kanë deklaruar se janë kërcënuar nga Shullazi për pronësinë e një parkingu në kryeqytet. I njëjti referim me veprime hetimore, siç janë këqyrja e vendngjarjes dhe marrja në pyetje e disa personave, rezulton të jetë kryer nga policia edhe në muajin mars, pas shpërthimit me lëndë plasëse në pronën e familjes Zaka.
Por ndërsa policia përcjell këto të dhëna hetimore që mbajnë datat 1, 2 shkurt 2016 dhe 12 mars 2015, prokuroria nga ana e saj rezulton se jo vetëm nuk ka kryer asnjë veprim tjetër shtesë, por as nuk ka deleguar veprime për policinë, sic ndodh sipas procedurës mes dy institucioneve.
Ajo që deklaron Prokuroria në rrugë jozyrtare është se ka vendosur nën përgjim personat e kallëzuar nga policia, ndërkohë që tregohet e rezervuar të shpjegojë veprimet të tjera hetimore, tek të cilat në mënyrë të pashpjegueshme është anashkaluar policia.
E gjithë kjo çështje ka qëndruar në heshtje deri në shoqërimin më të fundit të Shullazit,  për të cilin deri më tani ka vetëm një njoftim zyrtar nga policia dhe asgjë zytare nga Prokuroria e Përgjithshme apo Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button