Si Parisi po ridizajnon kryqëzimet në dobi të këmbësorëve
Ndryshimi i madh në Paris nisi kur sheshi i Republikës, që deri në vitin 2013, ishte një nga rrugët më të rrahura nga parisienët, pësoi një transformim total. Ai tani është kthyer në një shesh në dobi të këmbësorëve, ku janë mbjellë shumë pemë. Të rreshtuara buzë trotuarit ka stola dhe në të qëndrojnë një numër i madh njerëzish. Aq popullor ishte ky transformim, sa qyteti vendosi që të vazhdonte me këtë nismë
Në këto momente, sheshi i Bastijës në Paris është praktikisht një ishull trafiku. Një monument i madh qëndron në mes të një rruge, e cila është plot e përlot me makina.
Nuk ka asnjë mënyrë që ta kalosh rrugën si këmbësor. Por një situatë e tillë shumë shpejt do të kalojë. Ky shesh është një nga shtatë vendet e përcaktuara nga drejtuesit bashkiakë të kryeqytetit francez, i cili do të ridizajnohet për këmbësorët dhe çiklistët.
‘Parisianët po zbulojnë se ato që dikur ishin sheshe të admirueshme, tani janë kthyer në kryqëzime kaotike’, thotë Jean Macheras për ‘Fastcompany’, delegati parisien i Shoqatës së Përdoruesve të Transportit francez.
Ky ndryshim i madh nisi kur sheshi i Republikës, që deri në vitin 2013, ishte një nga rrugët më të rrahura nga parisienët, pësoi një transformim total. Ai tani është kthyer në një shesh në dobi të këmbësorëve, ku janë mbjellë shumë pemë. Stolat janë rreshtuar buzë trotuarit dhe në të qëndrojnë një numër i madh njerëzish. Aq popullor ishte ky transformim, sa qyteti vendosi që të vazhdonte me këtë nismë.
Secili prej ridizajnimeve të fundit të këtyre projekteve u jep këmbësorëve të paktën 50% më shumë hapësirë në shesh, duke ua marrë atë korsive të rrugëve, pavarësisht faktit se secila prej tyre është arterie kryesore e qytetit. Në sheshin e Bastijës e gjithë hapësira do të lidhet me një kthinë në një krah, duke krijuar një zonë të re të gjelbër për njerëzit, që do të kenë mundësi të pushojnë.
Në sheshin e Madeleine-s, pemët do të shënojnë një kufi të ri, në dobi të njerëzve që do të kenë edhe më shumë hapësira. Veç kësaj, në një ditë në javë tregtarët e fruta-perimeve do të kenë mundësi të shesin aty produktet e tyre.
Në disa raste, projektet e këtyre hapësirave janë të bazuara në të dhëna. Në sheshin “Nation”, që aktualisht ka një pjesë të gjelbëruar, gjithçka do të ndryshohet. Kjo hapësirë rrethohet nga tetë korsi, por urbanistët po bashkëpunojnë me një kompani që quhet ‘Placemeter’, platformë e inteligjencës urbane, që ndihmon në llogaritjen e përdorimit të hapësirës publike.
Me një set kamerash të përkohshme, funksioni i të cilave është të numërojnë anonimisht njerëzit, ata janë të aftë që të matin se sa individë po ecin dhe se sa po pedalojnë, ku janë makinat në vendndodhje specifike, madje edhe sa është numri i të moshuarve që luajnë dhe pushojnë aty.
Kjo kompani do të punojë me qytetin që të nisë testimin e skenarëve të ndryshëm, të tipit: çfarë ndodh nëse stolat dhe ulëset e tjera zhvendosen në vende të tjera, apo nëse rrugët për biçikleta zgjerohen.
‘Ne po i sigurojmë për herë të parë qytetit të Parisit një mjet dinamik që i mundëson të eksperimentojë me ridizajnimin e peizazhit të rrugës, apo ndërtimin e vendit, në një mënyrë të shkathët dhe të shmangë shpenzimin e miliona eurove në projekte që nuk janë testuar në jetën reale më parë’, tha përfaqësuesi i kompanisë “Martin Lagache”. Ridizajnimi zyrtar i këtij sheshi do të nisë më 2017.
Ndoshta makinat mund të mos zhduken plotësisht nga sheshet, ose të paktën për një kohë të gjatë. ‘Është e vështirë që të imagjinosh një të ardhme ku makinat do të jenë zhdukur totalisht nga Parisi. Kjo pasi mjetet do vazhdojnë ta kenë një vend si mjete komerciale apo të ndara për komunitetin’, vazhdon Macheras. “Gjithashtu, tani në skenë po dalin automobilat elektronikë, të cilat mund të marrin po aq hapësirë sa edhe mjetet me karburant’.
Por sheshet do të jenë thuajse të padallueshme nga ajo që janë aktualisht. ‘Këto hapësira janë një rrëmujë gjigande mjetesh, me gjithë zhurmën dhe ndotjen që sjellin nga pas, ndërsa ato mund të jenë të hapura, ku mund të marrësh frymë lirisht’, mendon Lagache. “Dhe nëse flet me çdo parisien, ata të njëjtën gjë do të thonë. Asnjë nuk ka qejf që të kalojë shumë kohë në këto sheshe kaotike të kryeqytetit’.