Si të mposhtet ideologjia e Shtetit Islamik?
Daniel Koehler është në mesin e një grushti njerëzish në Perëndim, të cilët punojnë me militantët islamikë që kthehen nga Siria, në përpjekje për t’i riintegruar ata në jetën normale.
Shtetasi gjerman punon me ish-luftëtarë të tillë dhe me familjet e tyre në vende të ndryshme të Evropës dhe në Amerikën e Veriut dhe e njeh mirë fuqinë e ideologjive xhihadiste për të tërhequr rekrutë të rinj.
Pasi Shteti Islamik (IS) është bërë grupi më famëkeq në botë, ai dhe të tjerë në fushën e tij kanë vërejtur se kjo organizatë shkon përtej grupeve të tjera të tilla, përfshirë edhe Al Kaidën, vetëm për të tërhequr ndjekës në gjithë botën.
Koheler thotë se të gjitha grupet e vetëquajtura xhihadiste rekrutojnë anëtarë të rinj, duke argumentuar se Islami po sulmohet nga forcat e këqija, se besimtarët duhet të luftojnë dhe se duke iu bashkuar grupit, rekrutët do të ndihmojnë të ndërtojnë një vend të ri për myslimanët e vërtetë.
“Në thelb, Shteti Islamik po e plotëson tregimin e tij edhe me vepra në terren. Ai kontrollon territor të gjerë gjeografik, ai vërtet bën përpjekje të paraqitet si shtet që funksionon plotësisht dhe me tregimin e tij thotë se ai është në fakt i vetmi që përmbush të gjitha premtimet, të cilat Al Kaida dhe organizatat e tjera xhihadiste nuk kanë qenë në gjendje t’i bëjnë në të kaluarën”, thotë Koehler.
Si kryetar i Institutit Gjerman për Studime të Radikalizmit dhe Deradikalizimit, Koehler ka folur me dhjetëra luftëtarë që janë kthyer nga Siria dhe Iraku dha ka zbuluar se motivet e tyre individuale janë një përzierje faktorësh.
Ata mund të jenë të zemëruar dhe frustruar me situatat jofunksionale në vendet e tyre dhe të armiqësuar nga racizmi i perceptuar dhe përjashtimi në shoqëritë e tyre. Në të njëjtën kohë, ata mund të kenë dëshirë për një aventurë dhe duan të ndihmojnë të tjerët që ata mendojnë se janë në rrezik.
Shteti Islamik është treguar i suksesshëm në tërheqjen e njerëzve, pjesërisht për shkak se ka adoptuar të njëjtat teknika të tregimeve me ato që përdor Hollywood-i për krijimin e filmave epikë, të cilët joshin audiencë të gjerë.
Shteti Islamik tregon tregime “duke imituar kulturën pop perëndimore, filmat e Hollywood-it dhe video-lojëra”, thotë Koehler.
Shteti Islamik ka prodhuar versionin e vet të një video-loje, një dokumentar të metrazhit të gjatë, video të shkurtra për Twitter, si dhe ka postuar pamje të betejave në Siri dhe Irak, duke përdorur mediat sociale dhe kanalin e tij të shpërndarjes.
Zëdhënësi i Shtetit Islamik, Abu Mohammad al-Adnani, ka deklaruar në vitin 2013 se qëllim i grupit është të krijojë një shtet islamik, i cili nuk njeh kufij.
Por, disa vëzhgues besojnë se ideologjia e Shtetit Islamik mund të mposhtet nëse shoqëritë perëndimore dhe të tjera bëjnë përpjekje më të mëdha për të ekspozuar realitetin e organizatës përpara rekrutëve potencialë.
Koehler beson se luftëtarët që kthehen nga Iraku dhe Siria në shtëpitë e tyre, duhet të jenë thelbi i kësaj përpjekjeje. Ai thotë se shumica e atyre që kthehen sot, janë njerëz të traumatizuar nga përvojat me Shtetin Islamik, veçanërisht nga brutaliteti i tij ekstrem.
“Shumë luftëtarë të huaj që kthehen, janë jashtëzakonisht të zhgënjyer, të tronditur dhe të traumatizuar”, thotë Koehler.
Ai mendon se luftëtarët që kthehen mund të jenë zërat më efektivë në komunitetet e tyre për të dekurajuar të tjerët që duan t’i bashkohen grupit ekstremist.
Koehler shton se kjo do të kishte efekt më të madh sidomos nëse vendet e tyre u ofrojnë atyre një shans të dytë dhe provojnë t’i integrojnë në shoqëri, e jo t’i burgosin.
Një qasje e tillë është duke u provuar në disa vende të Evropës veriore. Autoritetet e qytetit Arhus të Danimarkës kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare me përpjekjet për riintegrim, që i kanë nisur qysh në vitin 2013. Në këtë mënyrë, ato kanë ulur ndjeshëm numrin e rekrutëve të rinj nga qyteti.
Gazeta britanike The Guardian ka raportuar në nëntor të vitit 2014 se 31 të rinj janë larguar nga qyteti Arhus për në Siri në fund të vitit 2012 dhe më 2013. Por, në vitin 2014, vetëm një person ka bërë një gjë të tillë.