Situata e imigrantëve në Gjevgjeli
Gjendja e refugjatëve nga Lindja e Mesme, në jug të Maqedonisë, vazhdon të jetë e vështirë, megjithëse autoritetet maqedonase kanë lejuar një pjesë të tyre të udhëtojnë drejt Serbisë. Shoqatat civile në Maqedoni e kanë quajtur trajtim johuman të refugjatëve, sjelljen e autoriteteve dhe të policisë maqedonase. Ndërkohë, Ministria e Rendit thotë se ka lëshuar 1200 leje-kalimi për emigrantët, të cilët synojnë vendet e Evropës perëndimore. Korrespondenti ynë Isak Ramadani ishte në Gjevgjeli dhe përgatiti këtë reportazh.
Gjendja me refugjatët nga Lindja e Mesme në kufirin midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe në stacionin hekurudhor të Gjevgjelisë duket se po kalon në një krizë humantare. Pas çarjes së kordonit të policisë të shtunen dhe largimit të disa mijë refugjatëve drejt stacionit të trenave në Gjevgjeli, qindra të tjerë kanë mbetur prapa telave me gjemba, në fushat midis dy shteteve.
Po, cilat janë arsyet e qeverisë së Maqedonisë për masat e këtilla? Mendohet se ato janë politike. Disa kritikë mendojnë se Shkupi dëshiron të përfitojë fonde nga komuniteti ndërkombëtar; që projektet e humbura dhe të parealizuara t’i zëvendësojë me përfitime nga kriza e refugjatëve.
Greqia si vend anëtar i Bashkimit Evropian i lejon të kalojnë në rrugën e tyre drejt Evropës perëndimore, por mijëra refugjatët, më së shumti sirianë, hasin në pengesa në kufijt e Maqedonisë.
Kjo vajzë e vogël është ndarë nga familja, me gjasë në rrëmujën e krijuar të shtunen në fushat midis Gjevgjelisë dhe Idomenit.
Faris Mahmut Besam nga Damasku i Sirisë, ka arritur në stacioin hekurudhor të Gejvgjelisë. Ai thotë se policia maqedonase u ka shkaktuar mjaft probleme. “Ata qëllonin me armë në ajër, shkrepnin shashka, ndërsa për katër ditë kemi qëndruar nën shi pa përkujdesje. Kishte dhe foshnja e fëmijë të vegjël dhe nuk di se çka nodhur me ta”, thotë ai.
Ky sirian i cili nuk dëshiron ta zbulojë identitetin, thotë se refugjatët për pesë ditë kanë qëndruar në kufirin e Maqedonisë, nën qiell të hapur, pa ujë dhe ushqime, pa kushte elementare, humanitare. Ai pohon se policia përdorte shashka dhe forcë për të shpërndarë turmën.
AbuXhelil Abut nga Alepo e Sirisë, thotë se shpërthyen kordonin dhe u larguan me vrap. Ai është mjek me profesion. Me një grup prej tetë shkokësh që udhëtojnë së bashku, shpresojnë të arrijnë në Gjermani.
Adnan Arshad nga Kandahari i Afganistanit dëshiron të shkojë në Itali për një jetë më të sigurt. Ai udhëton me vëllain e tij, ndërsa thotë se në Kandahar ka mbetur nëna e tyre.
Ky refugjat sirian nuk dëshiron të shfaqet para kameras për shkak të shqetësimit për familjen e tij që ka mbetur në shtëpi dhe që të mos e pësojë, eventualisht, për shkak të paraqitjes së tij. Ai flet për gjendjen e mjerueshme në vendlindjen e tij. Ndërkohë, shpreson të pranohet në ndonjë prej vendeve evropiane ku do të punonte dhe të jetonte i qetë.
Refugjatë dhe emigrantë të tjerë i shërojnë plagët, pushojnë gjithkund ku mund të ulen në platformat e trenave dhe nëpër binarë. Grupe të tjera në kolonë, të rraskapitur arrijnë në Gjevgjeli. Grupe të tjera, herë pas here, arrijnë t’i shmangen rrethimit, me vrap drejt stacionit të trenave në Gjevgjeli. Të tjerë vazhdojnë të presin. Forcat maqedonase nuk lejojnë komunikimin me ata prapa telave në tokën asnjanëse, midis dy shteteve. Ky refugjat tregon njollat e gjakut në këtë veshje, me gjasë të shkaktuara nga rrahja e policisë.
Në Gjevgjeli vërehet mungesa e organizatave humanitare vendase. Një numër i vogël mjekësh e kanë vështirë t’ia dalin në krye me qindra refugjatët në nevojë.