Skandal financiar në Turqi, 433 persona nën hetim për manipulime në tregjet e investimeve
Një skandal financiar me vlerë miliarda dollarë ka përfshirë Turqinë, ku autoritetet po hetojnë 433 persona për manipulime të dyshuara në tregjet e investimeve. Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe drejtuesi i Bursës së Stambollit.
Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, deklaroi se hetimet kanë zbuluar një rrjet të gjerë të dyshuar kriminal, me lidhje deri në nivelet e larta të administratës financiare.
Sipas tij, personat e përfshirë dyshohet se kishin ngritur një sistem ryshfetesh për të shmangur kontrollet dhe për të manipuluar çmimet e aksioneve.
Nga 433 personat nën hetim, 112 janë lënë në paraburgim, 186 janë liruar me kushte, ndërsa 38 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit është arrestuar edhe drejtuesi i Bursës së Stambollit, i dyshuar për marrje ryshfeti dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Skandali ka sjellë edhe ndryshime në institucionet financiare turke, përfshirë shkarkimin e drejtuesit të autoritetit rregullator të tregjeve të kapitalit dhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Financave.
Ministri i Drejtësisë pretendoi gjithashtu se rrjeti kishte lidhje me figura politike dhe përfaqësues të mediave. Deri tani, pesë gazetarë janë ndaluar për akuza që lidhen me përhapjen e informacioneve të rreme rreth skandalit.
Autoritetet deklarojnë se kanë rikuperuar pasuri me vlerë rreth 536 milionë euro. Ndërkohë, sipas presidencës turke, deri më 30 tetor janë shpërndarë 97,3 miliardë lira për afro 250 mijë investitorë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në skemën e dyshuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.