Rajoni

Skandal korrupsioni në Rumani, politikanët nën akuzë

rumaniNjë skandal korrupsioni me dimension ndërkombëtar trondit Rumaninë katër javë para zgjedhjeve presidenciale. Portretet e kryeministrit rumun Viktor Ponta kanë mbushur nga fillimi i kësaj jave, shumë rrugë, hapësira publike dhe blloqe banimi në Rumani. Ponta dëshiron të jetë presidenti i ardhshëm i Rumanisë. Armiku kryesor i tij, politikani i djathtë Traian Bashesku, nuk ka të drejtë të rizgjidhet pas dy mandatesh si president i vendit. Tani Ponta është në garë me politikanin liberal Klaus Johannis. Por pas akuzave për plagjiaturë imazhi i kryeministrit dhe shefit të social-demokratëve është dëmtuar nga një skandal të ri, një aferë korruptive.
Zyra antikorrupsion e Rumanisë DNA e akuzon atë dhe shumë ish-ministra partish të ndryshme për mitmarrje nga koncernet Microsoft dhe Fujitsu-Siemens Computers në periudhën 2000 – 2005. Pas hetimeve të FBI-së, kanë nisur ose pritet të nisin ditët e ardhshme hetimet ndaj personave të dyshuar. Për pesë nga nëntë ministra të dyshuar zyra antikorrupsion e Rumanisë e ka marrë ndërkohë miratimin e presidentit. Për të tjerët pritet vendimi i parlamentit për heqjen e imunitetit të disa deputetëve. Edhe pse Ponta i hedh poshtë të gjitha akuzat dhe DNA-ja thotë se për momentin kryeministri nuk është i dyshuar, kjo mund të ndryshojë. Sepse në periudhën në fjalë Ponta ishte drejtues i Kontrollit të Lartë të Shtetit që në Rumani nuk është i pavarur, por në varësi të kryeministrit. Në atë kohë kryeministër ishte Adrian Năstase. Dhe Ponte konsiderohet si djali në shpirt i Năstases, që është dënuar disa herë për financim ilegal të partisë, shantazh dhe ryshfet. Social-demokrati Adrian Năstase është ish-kryeministri i parë i një vendi evropianolindor, që u dënua për korrupsion dhe kreu një dënim me shumë vjet burg.
Ryshfete për dhënie licencash për Microsoftin
Të paktën në një prej dëshmive, që ka Prokuroria e Rumanisë, Ponta dhe Năstase akuzohen se kanë ndikuar për dhënien e licensave për Microsoft-in. Fjala është për rryshfete në vlerë prej 50 milionë eurosh, që janë paguar prej filialeve rumune të Microsoftit, apo disa manaxherlve austrikë të Fujitsu Siemens për politikanë dhe nëpunës, për pajisjen me kompjutera të shumë shkollave. Blerjet janë bërë me çmime të fryra dhe pa tendera publikë.
Kritikë nga SHBA-ja
Pas lajmeve për skandalin zëvendësministrja e jashtme amerikane Victoria Nuland tha në një aktivitet të Center for European Policy Analysis, e cila merret me studimin e zhvillimeve në vendet postkomuniste, se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes korrupsionit dhe një rikthimi në qëndrime antidemokratike të zyrtarëve të lartë në Evropën Juglindore. Sikurse më parë dhe zëvendëspresidenti Joe Biden Nuland e quajti këtë një “kërcënim të brendshëm” për sigurinë e këtyre vendeve, “liderët e të cilëve kanë harruar vlerat mbi të cilat janë ngritur NATO-ja dhe BE-ja.” Sipas gazetarit dhe ekspertit për politikën Cristian Câmpeanu nga gazeta e përditshme “România Libera” Victoria Nuland u është referuar pa dyshim por pa i përmendur drejtpërdrejtë “krerëve të qeverive të Hungarisë, të Bullgarisë dhe të Rumanisë”. Ajo i akuzon ata se “nxisin nacionalizmin dhe shtetin e padrejtësive, kufizojnë lirinë e shtypit, mbrojnë zyrtarët e korruptuar nga drejtësia, dhe nëse është e nevojshme anashkalojë Parlamentin dhe demonizojnë shoqërinë civile”. Për kryeministrin Ponta, i cili që të bëhet President ka nevojë edhe për votat nga kampi konservator, ky është një vlerësim shkatërrues. Por deri tani të gjitha akuzat kundër tij nuk kanë pasur ndonjë efekt tek elektorati. Jo pak votues rumunë janë deri tani më tepër të prirur për t’ia falur atij akuzat për korrupsion.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button