Kronika

SKANDALI: Gjykata vendosi lirimin e parakohshëm për “Zotin” e drogës nga Berati edhe në 2014, se kishte ‘sëmurë’ gruan

Lirimi i Alket Hatisë ka shkaktuar përplasje mes institucioneve të drejtësisë, por të dhënat tregojnë se i dënuari për trafik droge nuk e shleu të plotë dënimin e tij të parë pas pretendimeve se “bashkëshortja i vuante nga sëmundje kronike”.

Nga Elton Qyno

Lirimi i Alket Hatisë me vendim të Gjykatës së Durrësit, edhe pse Interpol Roma e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, shkaktoi debat mes institucioneve të drejtësisë si dhe nxiti një kontroll të Inspektoriatit të KLD-së. Megjithatë, ky nuk është vendimi i vetëm në favor të Hatisë, i dhënë nga drejtësia shqiptare.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Hatija nuk e ka shlyer të plotë dënimin me 10 vjet e 8 muaj burg të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe të konfirmuar nga Apeli për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”.

Sipas vendimit të parë të Gjykatës së Elbasanit, Alket Hatija u arrestua në shtator  2008 dhe u lirua në dhjetor 2014, pasi gjykata e cilësoi të drejtë kërkesën e tij për ta shlyer në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit. Vendimi i gjykatës përcakton se ditën e lirimit, më 23 dhjetor 2014, Hatisë i kishin mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e gjashtë muaj burg.

Alket Hatija ka argumentuar me sukses para gjykatës së Elbasanit se bashkëshortja e tij vuante nga sëmundje kronike.

“Situata përkeqësohet akoma dhe më shumë pasi bashkëshortja e sëmurë jeton me dy vajzat e mitura, dhe për pasojë e vetme nuk mund të përballojë rritjen e dy fëmijëve të mitur,” ka argumentuar ai para gjykatës.

Një tjetër argument i paraqitur në gjykatë është fakti se atij i kishin mbetur më pak se dy vite burg për të shlyer, çka sipas mbrojtjes përmbush kriterin kryesor të parashikuar në nenin 59/a të Kodit Penal që flet për “pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në prove”.

Njëherësh, Hatija i ka paraqitur gjykatës dhe një relacion të drejtorisë së burgut të Peqinit, në të cilin thuhet se:”…gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit sjellja e të dënuarit ka qënë tepër korrekte me bashkëvuajtësit, me personelin e institucionit…”

Prokuroria e Elbasanit e kundërshtoi lirimin e tij të parakoshëm, por gjykata vendosi të pranojë kërkesën dhe urdhëroi që Hatija të mbante kontakte të vazhdueshme me shërbimin e provës.

Vetëm 2 vjet e gjashtë muaj pas lirimit nga burgu, Hatija është kthyer sërish në vëmendjen e drejtësisë, pasi Interpol Roma e kërkon atë pasi Gjykata e Milanos e ka dënuar atë me 20 vjet burg.

Por gjyqtari Petrit Çurri i Gjykatës së Durrësit e quajti të paligjshëm arrestimin, ndërsa pranoi argumentet e të akuzuarit se vendimi i Gjykatës së Milanos kishte shqyrtuar të njëjtat fakte kriminale si ajo e Gjykatës së Krimeve të Rënda në Shqipëri.

Prokuroria e ka apeluar çështjen, duke pretenduar se vendimi i lirimit është dhënë në kundërshtim me parashikimin e Kodit të Procedurës Penale në raste të ngjashme dhe se pretendimi i Hatisë nuk mund të vërtetohet pa administruar vendimin e Gjykatës së Milanos.

Avokati i 44 vjeçarit Hatija, Denion Bogdani argumenton të kundërtën.

“Vendimi i gjykatës së Durrësit që urdhëroi lirimin e Hatisë është i drejtë dhe nuk duhet të paragjykohet nga askush, për aq kohë sa ne si shoqëri pretendojmë dhe kërkojmë çdo ditë drejtësi,” tha avokati për BIRN.

“Në kuptim të Konventës Evropiane për ekstradimet dhe të nenit 491/ç dhe 493/3 te K.Pr.Penale bën që Alket Hatisë t’i jetë cënuar parimi bazë i të drejtës penale “ne bis in idem”, jo dy herë për të njëjtën vepër dhe për pasojë të mos ekzistojnë as kushtet për ekstradimin e tij në të ardhmen, çka determinon në mos caktimin e një mase shtrënguese sigurimi,” shtoi ai.

Avokati pretendon se dënimi i formës së prerë, i dhënë së fundmi në Itali nuk ka asnjë efekt në Shqipëri në lidhje me ekstradimin e Hatisë dhe theksoi faktin se klienti i tij nuk ka tentuar t’i shpëtojë në asnjë rast drejtësisë. Në të kundërt, Prokuroria e ka çuar lirimin e tij në Apel, duke pretenduar paligjshmëri në vendimin e Gjykatës së Durrësit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button