Bota

Skocia nuk ndahet nga Britania e Madhe

skociNë referendumin e së enjtes skocezët votuan me shumicë të qartë për mosshkëputjen nga Britania e Madhe. Reagimet e para janë pozitive. David Cameron i premton Skocisë më shumë autonomi. Në Skoci kanë dështuar përkrahësit e pavarësimit të vendit nga Britania e Madhe në një referendum të organizuar të enjten (18.09). Pas votimeve, ku të drejtën e votës e patën 4,4 milionë skocezë, u bë e qartë se një shumicë prej rreth 55% e votuesve është shprehur kundër ndarjes nga Mbretëria e Bashkuar. Ndërkohë përkrahësit e pavarësisë kanë fituar 46% të votave. Kreu i qeverisë skoceze, dhe drejtues i lëvizjes së pavarësimit nga Anglia, Alex Salmond pranoi humbjen megjithatë ai u shpreh para përkrahësve: “Faleminderit Skoci për 1,6 milionë votat për pavarësinë e Skocisë”. Salmond theksoi se ai e pranon “vendimin e popullit që për këtë moment nuk do të jetë i pavarur.” Edhe zëvendësja e kreut të qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon është shprehur e zhgënjyer pas referendumit. Megjithatë Skocia ka ndryshuar përfundimisht është shprehur ajo.
Cameron: Më shumë kompetenca qeverisë skoceze
Kryeministri David Cameron uroi kundërshtarët e pavarësisë për fitoren. “Ne e kemi ndjekur shprehjen e vullnetit të skocezëve”, tha Cameron të premten, pas referendumit. “Populli skocez është shprehur dhe rezultati është i qartë. Tani ka ardhur koha për t’u angazhuar për një të ardhme më të mirë.” Ai u shpreh se janë gati disa projektligje, të cilat do t’i japin Skocisë nga janari më shumë autonomi. Sipas kryeministrit britanik edhe nacionalistët skocezë që kërkojnë pavarësinë do të përfshihen në bisedimet për më shumë pushtet rajonal. Por Britania e Madhe po përgatitet për një reformë të gjerë, me sa duket për rajone të tjera. “Ashtu si skocezët do të kenë më shumë autonomi për çështjet e tyre, këtë të drejtë do ta kenë edhe njerëzit në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut, ka thënë Cameron të premten.
Edhe presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz u shpreh i gëzuar pas referendumit në Skoci. Jam i “çliruar” ka thënë Schulz në Bruksel pas rezultatit të referendumit. Edhe politikani social- demokrat, eurodeputeti gjerman, Jo Leinen është shprehur se referendumi në Skoci duhet të jetë një “zile alarmi” për shtetet centraliste në Europë. Leinen tha në Bruksel se “pozicionet fundamentaliste kundër lëvizjeve për pavarësi apo edhe injorimi i këtyre lëvizjeve pro pavarësi nuk janë zgjidhja e duhur.” Shtetet e prekura, tha Leinen, pa përmendur emra, duhet të marrin masat e duhura dhe t’u japin këtyre rajoneve më shumë të drejta, aty ku është e mundur.
Martesë me arsye
Prej 300 vjetësh Skocia dhe Britania e Madhe janë së bashku në një union, që sipas ekspertëve konsiderohet një martesë nga arsyeja. Kështu e cilëson historiani Tom Devine në gazetën britanike “The Guardian” marrëdhënien mes Skocisë dhe Anglisë. “Unioni mes Anglisë dhe Skocisë nuk ka qenë martesë nga dashuria, por një martesë e detyruar.” Por themelet e kësaj martese kanë pësuar krisje, sipas historianit Chris Whatley nga Universiteti skocez, në Dundee. Whatley është shprehur se ende sot Skocia është e përçarë për sa i përket marrëdhënies me Britaninë e Madhe. “Bashkimi me mbretërinë e bashkuar nuk ka qenë popullor as asokohe, por në kushte të vështira, ai ka qenë më shumë në interesin e Skocisë.” Rezultati i votimit u prit me shumë interes jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe në Europë. Shkëputja e Skocisë nga Britania e Madhe do të kishte pasoja të mëdha në të gjithë Bashkimin Europian dhe do të kishte inkurajuar rajone të tjera drejt përpjekjeve për pavarësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button