“Smartphone” për vetëm 7 dollarë
Tregu i telefonave inteligjentë është bërë i ashpër dhe numri i kompanive, sidomos atyre nga Azia është rritur ndjeshëm në pesë vitet e fundit.
Sigurisht, Samsung dhe Apple ruajnë hegjemoninë e tyre duke ofruar aparate të një cilësie të lartë, por me çmime të kripura.
Ndaj, për të rivalizuar me dy kolosët, gjithnjë e më shumë po zhvendoset vëmendja tek çmimi i këtyre telefonave. Përgjithësisht janë kompani kineze ato që prodhojnë me kosto të ulët dhe shesin me çmime të ulta, por së fundmi sfida mbërrin nga India.
Kompania indiane, “Ringin Bells” njoftoi se është duke punuar për prodhimin e telefonit inteligjent më të lirë në botë. Bëhet fjalë për projektin e quajtur Freedom 251 dhe do të kushtojë vetëm 7.3 dollarë.
Pak dihet për këtë pajisje dhe sistemi që ajo do të operojë, por nga raportimet e para thuhet se telefoni do të ketë një kapacitet prej 8 GB dhe do të jetë i pajisur me kamera parësore dhe dytësore.
Kompania indiane thotë se do të synojë fillimisht tregun indian, ku janë 1 miliardë përdorues të telefonave inteligjentë dhe më pas do të synojë shtrirjen në vendet e tjera, kryesisht tek ato të pazhvilluara, ku një Samsung apo iPhone është tabu.