Ekonomia

Sot në Kuvend pr/buxheti dhe paketa fiskale

Kuvendi pritet të shqyrtojë të enjten në seancën e radhës projektbuxhetin e vitit 2016 si dhe paketën fiskale që shoqëron atë, pas rreth një muaji diskutimesh në parim e në tërësi në komisionet parlamentare.

Diskutimet u shoqëruan me tone të ashpra lidhur me nivelin e investimeve dhe mbështetjen sociale, që opozita e kundështoi ashpër, ndërsa akuzoi qeverinë se ky është buxhet i varfërisë, i cili braktis ekonominë dhe ngrin përfitimet për qytetarët.

Por, mazhoranca vlerësoi se ky është buxheti i konsolidimit të zhvillimit ekonomik. “Me taksën progresive liruam nga taksa e padrejtë, skllavëruese, 421 mijë të punësuar dhe kthyem realisht mbrapsht 4 miliardë nga sektori shtetëror në konsumin e familjeve dhe 7 miliardë nga sektori privat, pra 11 miliardë lekë, ose 110 milionë dollarë dhe megjithë ato, taksat e lehtësuara, duke përfshirë dhe heqjen e taksës së sëmundjes që ia vutë shqiptarëve (tvsh e ilaceve), janë 150 milionë dollarë në vit që i shkojnë konsumit. Kjo është arsyeja pse janë rritur depozitat, kjo është dhe arsyeja e drejtpërdrejtë pse janë rritur të ardhurat e disponueshme”, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Në përgjigje të akuzave të ngritura nga opozita, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi se investimet publike për vitin 2016 janë 92 miliardë lekë.

Shpenzimet totale parashikohen në masën e 452 125 milionë lekëve, ndërsa të ardhurat planifikohen 417 694 milionë lekë. Pr/buxheti i 2016-ës ka nivelin më të ulët të defiçitit buxhetor, prej 2.2 për qind e Prodhimit Kombëtar, çka bën të mundur që për herë të parë pas shumë vitesh rritje, Shqipëria të ulë borxhin publik nga 72.6 për qind në 70.9 për qind të prodhimit kombëtar. Qeveria parashikon një zgjerim me 3.4 për qind të ekonomisë shqiptare për vitin e ardhshëm.

Krahas kësaj pike, rendi i ditës parashikon dhe miratimin e pr/ligjit ‘për dekriminalizimin’, i shoqëruar me paketën e ndryshimeve kushtetuese për të cilën palët kanë gjetur tashmë konsensus. Për diskutim janë dhe disa  pr/ligje të tjera si ai “Për punëkërkuesit”, pr/ligji “Për vetëqeverisjen vendore”, një ndryshim në vendimin e Kuvendit “Për krijimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë’, etj.

Para nisjes së seancës, e parashikuar në ora 10:00, Partia Demokratike ka paralajmëruar organizimin e një proteste para selisë së parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj buxhetit të ri të qeverisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button