Kryeartikull

Sot përgjohet Merkeli, imagjinoni unë dhe Eduard Halimi!

ARBEN MANAJ

Arben Manaj

Kundërshtitë për ligjin për regjistrimin në një databazë të numrave të IMEI-ve të çdo aparati celular në Shqipëri, duket se përtej një sensibiletiti normal për shkelje potenciale të të drejtave të njeriut, ose privatësisë së çdo qytetari, indirekt fshehin një kallje frike për transgresione apo ekspozim të tyre.

Bota, aq shumë sa ka avancuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në ekspansion konstant dhe privatësisë së tij, akoma më shumë ka avancuar në fushën e teknologjisë, e veçanërisht të asaj të komunikimit dhe telefonisë celulare që me telefonat smart, ka asgjësuar, fatalisht, thuajse në mënyrë të pariparueshme me atë që ofron, tundimin për privatësi, sado e shtrenjtë të jetë ajo për të gjithë ne.

Të gjithë, të paktën të brezit tim, kujtojmë me habi dhe nënqeshje kohët kur nuk kishim telefona celularë, e sesi merreshim vesh me njëri-tjetrin, e na duhej të linim takime me telegrame apo thirrje nëpër zyrat postare për të folur me një të afërm në një qytet tjetër.

Dhe sa e vështirë dhe sa pak produktive ka qenë jeta e njerëzimit dekada më parë.

Ndaj do të duhet të jemi realisht në balancimin e kërkesës për të qenë të përditësuar dhe snobizmit që atashohet me teknologjinë më të fundit, dhe nevojës së shtetit apo qeverive të ditës, për të pasur një kontroll relativ ndaj keqpërdorimeve që sjellin avantazhet teknologjike dhe këtu e kam fjalën për botën e krimit.

Kjo e fundit, padyshim, është disa hapa, çdo herë, në çdo tentativë të çdo shteti për ta vënë nën zap botën e krimit.

Opozita e sotme në Shqipëri parimisht duket se ka të drejtë kur përdor kartën e shkeljes së privatësisë së qytetarëve me këtë ligj të qeverisë.

Lufta për të frenuar qeveritë nga tendencat abuzuese për të shfrytëzuar kërcënimet globale apo edhe ato kombëtare, siç janë ato për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, është një luftë që zhvillohet thuajse në çdo vend dhe qeveritë kombëtare në shumicën e rasteve kanë dalë fitimtare.

Dhe kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri, aq sa ish-opozita fliste për institucione përgjimi, siç ishte ai i Ushtrisë, e cila sipas ish-opozitës, ose qeverisë së sotme, përgjonte eksponentët e opozitës, madje edhe diplomatët e huaj.

Të njëjtin pretendim, thotë edhe opozita e sotme se kërkon të bëjë qeveria aktuale.

Ndërkohë, shqiptarët kujtojnë ose s’lë rast pa ua rikujtuar Berisha, se ai di shumë më tepër se ç’dinë vetë shqiptarët të veçantë për jetën e tyre, dhe jo vetëm një Zot e di se si i di ai gjithë këto të dhëna sensitive dhe personale!!

Nuk e përjashtoj probabilitetin që administrata aktuale do përdorë këtë databazë të kodeve unikale të çdo aparati celular për qëllime, qoftë edhe politike, përveç asaj që në mënyrë taksative do të ishte e sanksionuar në ligjin përkatës.

Edhe për një kontroll politik mbi opozitën dhe mbi “disidencën” e të vetëve, nisur nga parimi “dijenia është pushtet”. Dhe këtu ndoshta, do të duhet të fokusohet përpjekja dhe shqetësimi i opozitës politike, që të pamundësojë abuzimin me këtë databazë, si dhe të kërkojë instalimin e sistemeve adekuate, që do ta shmangnin një abuzim të tillë në praktikë, dhe jo të fshihet pas privatësisë së qytetarit ligjzbatues dhe respektues.

Unë si qytetar, nëse nuk e kam “mizën nën kësulë”, nuk kam përse të shqetësohem dhe frikohem se më përgjon shteti. Dhe parandiej se më përgjon këtu ku jetoj në Britani, edhe pse jo zyrtarisht, por të gjithë tashmë i kemi dëgjuar lajmet për përgjimet dhe kabllot transatlantike dhe përgjimet masive që bëjnë agjencitë inteligjente, jo vetëm në Britani dhe SHBA, por edhe në pjesën tjetër të botës.

As Merkeli nuk i ka shpëtuar një gjëje të tillë.

E në kontekstin e vogël shqiptar, është e pasinqertë të kërkosh dhe të kesh një shqetësim të tillë, kur dihet se telefonat dhe komunikimet telefonike dhe të dhënat e telefonave celularë dhe gjithçka zhvillohet përmes tyre, janë pronë e operatorëve të telefonisë celulare dhe tokësore nga turqit dhe grekët.

Dhe që këtu është e kompromentuar siguria kombëtare e shtetit shqiptar dhe bashkë me të, edhe shtetasve shqiptarë.

Po aq e pasinqertë, duket karta e privatësisë në ligjërimin politik në Shqipëri kur në atë vend, nuk pipëtiu kush kur tërë shqiptarët, përfshi edhe mua, dhamë dhe japim gjurmët e gishtave, kur aplikuam apo aplikojmë për kartën e identitetit apo pasaportën biometrike shqiptare, një gjë për të cilën ka një debat dhe kundërshtim absolut në Britani p.sh., dhe për shkak të kundërshtimit të të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë dhe shoqërisë civile.

Andaj, ajo nuk aplikohet për të gjithë shtetasit britanikë, por vetëm për ata që arrestohen si të dyshuar për një vepër penale nga Policia.

Por njëkohësisht, kjo nuk e ka ndaluar edhe Kryeministrin aktual, Cameron që të miratojë një sërë masash që u japin institucioneve ligjzbatuese kompetenca dhe lehtësira për të monitoruar dhe për të përgjuar të dyshuar për krime të rënda dhe terrorizëm dhe jo vetëm këta, apo edhe të financojë dhe mbështesë ligjërisht institucionin, ndoshta më të madh në botë për monitorimin dhe përgjimet GCHQ në Cheltenham të Britanisë së Madhe.

Opozita nuk ka përse keqkuptohet nga qasja potencialisht naive përmes një kauze të tillë, e cila, edhe pse mund të ketë një shqetësim legjitim, duket se bëhet zëdhënëse e përfaqësuesve të botës së krimit dhe delikuencës, që realisht do të duhet të jenë njerëzit më të frikësuar nga një ligj i tillë, si edhe ata politikanë e individë që kanë mizën nën kësulë, e duan të mos dekonspirohen e penalizohen nga teknika të tilla të njohura në tërë botën ku jetojmë, teknika që duam apo s’duam ne, e kanë shndërruar shoqërinë e sotme globale në një Big Brother transkontinental.

Për më tepër, është fyerje inteligjence kur u kujton të gjithëve se celulari yt përgjohet apo lëvizjet e tua mund të deshifrohen e dekonspirohen, dhe gjithçka bën ti në median sociale, kur të gjithë me vetëdije e kemi bërë një gjë të tillë edhe tek institucione apo kompani e biznesi jashtë Shqipërisë, kur kemi pranuar t’ua delegojmë një pjesë të sovranitetit personal dhe privatësisë dhe të dhënave personale, përmes pranimit të kontratave dhe dakordësisë me marrëveshjet kontraktuale me rrjetet sociale që i kemi aq për zemër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button