SPANJË – Mijëra qytetarë protestojnë për të drejtën e strehimit: “Thirrje për grevë të përgjithshme”
– Thirrja për “grevë të përgjithshme” ka përshkuar Madridin dhe dhjetëra qytete të tjera në Spanjë, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë në mbrojtje të së drejtës për strehim. Protestat u shoqëruan me fishkëllima dhe zhurmën e çelësave, tenxhereve dhe tiganëve.
Protestuesit shprehën zemërimin dhe zhgënjimin pas rrëzimit në Kongresin e Deputetëve të dy dekreteve ligjore të miratuara nga qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez, të cilat synonin të trajtonin krizën e strehimit.
Dekretet u rrëzuan nga një shumicë parlamentare e krahut të djathtë, e përbërë nga Partia Popullore, Vox dhe forca katalanase Junts per Catalunya.
Në Madrid, protestuesit marshuan duke brohoritur “Turp!” dhe “Spekulatorët jashtë lagjeve tona!”.
Sipas autoriteteve të kryeqytetit, në protestë morën pjesë rreth 70 mijë persona, ndërsa Sindikata e Qiramarrësve vlerësoi pjesëmarrjen në më shumë se gjysmë milioni.
Manifestuesit u nisën nga katër pika të ndryshme të Madridit dhe u bashkuan në Plaza Cibeles.
Në protestë iu bashkuan edhe aktivistët e lëvizjes “Indignados”, të cilët prej rreth një jave kanë ngritur një kamp proteste në Puerta del Sol, në qendër të kryeqytetit, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.