SPD pranon bisedimet formale me Merkelin
Socialdemokratët gjermanë i dhanë dritën jeshile hapjes së negociatave formale me konservatorët e kancelares Angela Merkel për formimin e qeverisë së re.
Në fillim të këtij muaji, dy partitë ranë dakort në terma kryesorë për të drejtuar bashkërisht edhe për një tjetër mandat Gjermaninë.
CDU e Merkelit dhe aleatja e saj besnike, bavarezja CSU nuk po arrijnë të formojnë dot shumicën që do t’u mundësontë formimin e qeverisë së re. Në zgjedhjet e shtatorit të vitit të kaluar, ekstremistët e AFD-së morën 94 mandate.
Filimisht, socialdemokratët përjashtuan mundësinë e bashkëqeverisjes me Merkelin. Por, më vonë, i detyruar edhe nga dështimi i koalicioni mes CDU dhe liberalëve “Demokratët e lirë”, Martin Schulz ndryshoi qëndrim për të mos e dërguar vendin sërish në zgjedhje.
Megjithatë, shumë socialdemokratë fajësojnë koalicionin me Angela Merkelin për rezultatin e dobët të partisë së tyre në zgjedhjet e shtatorit dhe sërish brenda partisë ka fraksione që e kundërshtojnë vazhdimin e këtij koalicioni.
Nëse arrihet një marrëveshje formale mbi bashkëqeverisjen, atëherë 440 mijë anëtarët e SPD-së do të pyeten përmes postës për të miratuar ose refuzuar paktin me Merkelin.