Rajoni

Srebrenica, 21 vite nga gjenocidi më i madh i pasluftës së Dytë Botërore

Plot 21 vite kanë kaluar nga tmerri i 11 korrikut 1995, kur përpara syve të paqeruajtësve të OKB-së, 8.000 burra dhe djem myslimanë do të ekzekutoheshin në Srebrenicë nga forcat serbo-boshnjake, në atë që njihet si masakra më e madhe në Europën e pasluftës së Dytë Botërore.

Dy dekada më vonë, identifikimi dhe varrosja e viktimave ende vazhdon. Ceremonitë përkujtimore në Bosnje-Hercegovinë nisën që në fundjavë me përcjelljen e një kamioni me eshtrat e 127 të vdekurve të tjerë të identifikuar.

Vrasjet makabre të njësive të ushtrisë së Republikës Srbska, që vepronte nën urdhrat e gjeneralit Ratko Mladiç, do të ndodhnin vetëm 5 muaj përpara fundit të luftës ndëretnike në vend. Çdo vit, ekspertët e huaj gjejnë trupa të reja në gati 100 varret masive të zbuluara deri më tani. Eshtrat identifikohen nëpërmjet analizave të ADN-së, përpara se të vendosen për t’u prehur në një qendër përkujtimore në Srebrenicë, aty ku janë parë për herë të fundit të gjallë.

Në vitin 2014, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftes në Hagë e përkufizoi zyrtarisht si “gjenocid” masakrën e përpara 21 viteve. Por vitin e kaluar, një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë kësaj mizorie të njëjtin përcaktim, dështoi për shkak të vetos ruse.

Në Serbi, siç tregon artikulli i botuar nga gazeta e afërt me qeverinë “Novosti”, shumë ndajnë bindjen se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid dhe se ekzekutimi i 8.000 meshkujve ka qenë vetëm “një formë hakmarrjeje” ndaj vrasjeve të mëparshme të serbëve nga myslimanët.

Kur forcat serbe mbërriten në kompleksin e OKB-së, paqeruajtësit holandezë e dorëzuan shpejt bazën, që duhej të ishte një strehim i sigurtë për banorët e zonës, e trupat serbe nuk vonuan të ndanin burrat e djemtë për ekzekutim, nga gratë e vajzat që u dërguan në pjesë të tjera të territorit të kontrolluar prej tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button