Staliveci: Ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, mund të fillojë në gjysmën e dytë të 2016
Ministri i Ekonomisë, Blerand Staliveci, deklaroi se “ndërtimi i termocentralit Kosova e Re pritet të filloj në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm”.
Në një intervistë për Kosovapress, ministri Stavileci , tha se deri në fund të këtij muaji pritet që t’i përfundojnë të gjitha procedurat me kompaninë amerikane që ka shprehur interesimin për ta zhvilluar projektin për Termocentralin Kosova e Re, rreth modelit financiar, qëndrueshmërisë me energji elektrike dhe çmimin që do ta paguajnë qytetarët.
“Procesi i ndërtimit të Termocentralit të Kosovës së Re është në një fazë të avancuar. Ne jemi duke diskutuar me kompaninë ofertuese, pra investitorin amerikan i cili ka shfaqur interesim për ta zhvilluar projektin, për ta financuar projektin dhe në momentin që ne arrijmë marrëveshjen, pastaj kalojmë në fazën e dytë të ndërtimit dhe të operimit të këtij termocentrali. Presim, pra që gjatë këtij muaji pas analizimit të detajeve të fundit financiare ta kemi një përfundim të këtij procesi dhe nëse gjithçka shkon në rregull ne investitorit amerikan do të mund t’ia jepnim statusin e ofertuesit të preferuar ashtu siç parashikohet me terma të referencës së këtij projekti dhe të kalojmë në fazën tjetër”, tha Stavileci.
Stavileci thotë se nëse bisedimet shkojnë sipas planit, pretendojnë që ndërtimi i Kosovës së Re të nisë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
“Nëse gjithçka shkon si duhet ne mendojmë që në vitin e ardhshëm, nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm do të mund të niste ndërtimi i termocentralit Kosova e Re”, theksoi ai.
Ndërsa, rreth interesimit të kompanisë gjermane “Bilfinger” për të ndërtuar kapacitete të reja në Kosovën A, Stavileci tha se kjo kompani ka bërë një ofertë dhe një prezantim projekti, por që nuk e arsyeton ekonominë e tij. Sipas ministrit, për të qenë oferta e plotë, duhet që të ketë modelin financiar e ligjor se nga do të jenë burimet e financimit për atë projekt.
Për investimet e kompanive gjermane, është bi seduar edhe me kancelaren Angela Merkel, gjatë vizitës që ka pasur kryeministri Isa Mustafa, ku pjesë e delegacionit ishte edhe ministri Blerand Stavileci. Ai thotë se me kancelaren biseduan rreth fatit të ekonomisë së Kosovës, e cila lidhet ngushtë me zhvillimet politike.
Për KosovaPress, ministri Blerand Stavileci foli edhe për kombinatin metalurgjik Trepça, për të cilin tha se do ta rregullojnë statusin e tij me një strategji zhvillimore dhe projektligj të veçantë, por kjo nuk pritet të bëhet gjatë këtij viti.
Ndërsa, sa i përket privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, ministri Stavileci tha se këtë vit nuk do privatizohet PTK-ja.
“Jo, nuk e besoj sepse është shumë shpejtë këtë vit janë procese që kërkojnë një kohë më të madhe. Ju e dini që ato procese që kanë nisur më herët kanë zgjatur, por ne e kemi lënë aty në kuadër të programit qeveritar në vitin 2016-2017, pra për periudhën para privatizimit dhe të privatizimit”, tha Stavileci.
Ai shtoi se do të jenë dy faza, para privatizimi dhe privatizimi, pas një procesi të dështuar vitin e kaluar për ta privatizuar PTK-në. Stavileci tha se do të investojnë në PTK për t’ia rritur vlerën në treg edhe pastaj do të nisin procedurat e privatizimit.