Stefanoviq: Opozita duhej t’i hapte rrugë Listës së Studentëve përballë regjimit të Vuçiqit
Borko Stefanoviq, nënkryetar i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), ka kritikuar vendimin për pjesëmarrjen e listës “Serbia Evropiane” në zgjedhje si subjekt i veçantë opozitar, duke vlerësuar se është humbur mundësia për të mbështetur Listën e Studentëve në përballjen me pushtetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Stefanoviq ka thënë se lista “Serbia Evropiane” e ka humbur mundësinë e fundit për të vepruar me përgjegjësi politike dhe për t’u tërhequr nga procesi zgjedhor në favor të Listës së Studentëve.
Sipas tij, një veprim i tillë do të mundësonte mbështetjen e studentëve në përpjekjen e tyre për ta mposhtur atë që ai e cilësoi si regjimin kriminal të Aleksandar Vuçiqit.
Stefanoviq ka paralajmëruar gjithashtu se pasojat për Partinë për Liri dhe Drejtësi mund të jenë serioze, pasi, sipas tij, vendimet e fundit rrezikojnë reputacionin e partisë, përpjekjet e saj politike ndër vite dhe të ardhmen e këtij subjekti në skenën politike serbe.
Ai ka vlerësuar se këmbëngulja për të garuar në zgjedhje me një listë të veçantë opozitare, në rrethanat aktuale dhe pas dështimit për të bashkuar të gjithë opozitën, përbën një gabim të rëndë politik.
“Të këmbëngulësh për të marrë pjesë në zgjedhje si një listë e veçantë opozitare, në këto rrethana dhe pas dështimit për të bashkuar të gjithë opozitën, është një gabim i rëndë dhe një keqkuptim i atmosferës shoqërore dhe vullnetit politik të qytetarëve të Serbisë”, ka shkruar Stefanoviq.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur brenda opozitës serbe po zhvillohet debat për mënyrën e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe mundësinë e bashkërendimit të forcave politike kundër pushtetit të Vuçiqit.
Stefanoviq është tërhequr nga lista “Serbia Evropiane”, duke kundërshtuar strategjinë e ndjekur për garën zgjedhore. Në qëndrimin e tij, ai ka vënë në pah nevojën që opozita të marrë parasysh atmosferën politike dhe pritshmëritë e qytetarëve, në vend që të garojë e fragmentuar./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.