Bota

Steinmeieri dhe Ukraina: qortime dhe dëshira për armë

Presidenti gjerman nuk duket se mirëpritet në Ukrainë për momentin. Shumë politikanë në Gjermani e shohin këtë të tepruar. Në të njëjtën kohë, po rritet presioni që Ukraina të furnizohet më në fund me armë të rënda.

Një ditë pas skandalit politik, Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP), Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes së Bundestagut, fillimisht merr frymë thellë para se të thotë se nuk është çudi që nervat janë të tendosura deri në skaj kudo. Kur e tha këtë, Strack-Zimmermann ishte ende nën përshtypjen e udhëtimit të shkurtër në Ukrainë, që sapo kishte bërë me dy kryetarë të tjerë të komisioneve të Bundestagut, Anton Hofreiter i Të Gjelbërve (Komisioni i Çështjeve Evropiane) dhe Michael Roth i SPD (Komisioni i Punëve të Jashtme).

Është hera e parë që deputetë të rangut të lartë të Bundestagut vizitojnë Ukrainën që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Megjithatë, politikania e FDP-së mbushet me frymë, sepse tre deputetët u habitën nga ky lajm gjatë vizitës së tyre: presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski nuk dëshiron të presë presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier në Kiev, të paktën jo tani. Një bombë diplomatike.

Edhe pse Serhij Leshçenko, një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, mohoi në një intervistë për CNN se ishte refuzuar oferta e Steinmeierit për vizitë, mosmarrëveshja është një pikë e ulët në marrëdhëniet zyrtare midis Ukrainës dhe Gjermanisë. Ukraina është ankuar prej kohësh për mungesën e solidaritetit nga Gjermania. Ajo ankohet për dërgesat tepër hezituese të armëve dhe kritikon faktin se në Evropë, mbi të gjitha se është Gjermania ajo që frenon kur bëhet fjalë për një embargo energjetike kundër agresorit rus. Se Gjermania e ka frenuar dëshirën e Kievit për t’u bashkuar me BE dhe NATO-n për vite me radhë.

Dhe e gjithë kjo kulmon me kritikat ndaj personit të Steinmeier-it, i cili ka mbajtur prej kohësh marrëdhënie të mira me Rusinë, edhe si Ministër i Jashtëm për shumë vite. Marrëdhënie me teprim të mira, sipas Ukrainës. Megjithatë, Zelenski nuk vonoi të theksonte se kancelari gjerman Olaf Scholz ishte i mirëpritur në Ukrainë. Sigurisht edhe sepse Scholz-i, si kreu i qeverisë, mund të kontribuonte më shumë se me gjeste të thjeshta simpatie. Me tanke beteje, për shembull, sa më shpejt të jetë e mundur.

Strack-Zimmermann: “Ne tashmë po bëjmë shumë”.

Të martën, në Lviv, Strack-Zimmermann u përpoq të mbronte pozicionin gjerman, ndonëse ajo vetë qe angazhuar për dërgesa më të shpejta, përfshirë armët e rënda dhe i kishte bërë thirrje qeverisë të hiqte dorë nga qëndrimi hezitues. Qeverisë së cilës i përket edhe partia e saj.

“I kuptoj kritikat, por të them të drejtën, i kam parë listat e asaj që ka dhënë Republika Federale deri tani. Qenë shumë pajisje për të cilat kanë nevojë ushtarët tani, duke përfshirë edhe municionin…Qenë shumë gjëra. Edhe raketat të përshtatshme për mbrojtjen”.

Ndërsa për temën e heqjes dorë plotësisht nga gazi dhe nafta ruse, siç kërkon Zelenski, Strack-Zimmermann tha: “Gjermania është një vend industrial, Gjermania ka nevoja të mëdha për energji dhe sigurisht që duhet të sigurohemi që Gjermania të mos gjunjëzohet ekonomikisht. Sepse vetëm kur jemi të fortë mund të ndihmojmë. Por mendimi ynë është se, veçanërisht në lidhje me naftën, tani duhet të veprojmë sa më shpejt që të jetë e mundur.”

Socialdemokratët të pakënaqur

Shumica e politikanëve gjermanë e panë refuzimin e Steinmeierit të tepruar, ndonëse ndoshta të kuptueshëm. Kreu i grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag, Rolf Mützenich, tha në Berlin se sinjali i Kievit është “për të ardhur keq dhe nuk sillet me drejtësi me marrëdhëniet tona”. Në të kundërt, eksperti i politikës së jashtme të CDU, Jürgen Hardt, hodhi një vështrim kritik ndaj politikës së qeverisë. Ai tha në kanalin ARD për armët e rënda për Ukrainën: “Gjermania nuk duhet të jetë vendi që frenon gjithmonë”. Përkundrazi, Gjermania duhet të jetë vendi në Evropë që luan një rol vendimtar në nxitjen e një vendimi të tillë. Gjithnjë e më shumë politikanë të partive në pushtet dhe në opozitë e kanë këtë mendim.

Pak gjëra konkrete nga qeveria

Çfarë do të thonë për qeverinë zhvillimet e fundit? Çfarë do të thotë kjo për kancelarin? Kjo ishte tema dominuese në konferencën e shtypit të qeverisë të mërkurën. Kur do të shkojë Scholz në Kiev? Ose a mund të vejë tani, pas refuzimit të Steinmeier-it? Kur do të dërgojë Gjermania armë të rënda, si tanket e betejës Leopard?Zëvendëszëdhënësi i Qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner tha për refuzimin e Steinmeierit: “Dëshiroj të përsëris se Presidenti gjerman ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë dhe pa ekuivoke në anën e Ukrainës. Dhe dua të kujtoj se “pas rizgjedhjes, ai i bëri thirrje presidentit Putin: liroje lakun rreth qafës së Ukrainës. Steinmeieri u rizgjodh President Federal më 13 shkurt.

Ndërsa për një vizitë të mundshme të kancelarit në Kiev, ajo që u tha ishte: “për takimet e kancelarit do t’ju informojmë kur të caktohen”. Me fjalë të tjera: asnjë udhëtim nuk është planifikuar për momentin. Për sa i përket furnizimit të mundshëm me tanke, Büchner thotë: “Ne po furnizojmë armë. Dhe ky është një ndryshim paradigme për Gjermaninë. Kjo është hera e parë që Gjermania furnizon me armë një vend në luftë”. Por qeveria nuk do të publikojë detaje gjithsesi për arsye sigurie dhe kërkon durim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button